Kocias nesër në Ohër, Dimitrov: Procesi është në një fazë delikate
Ministrat e punëve të jashtme të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kocijas nesër në Ohër do të zhvillojnë takime të reja. Vizita e Kocijas është në suaza të dialogut të vazhdueshëm mes dy ministrave, në kontekst të zgjidhjes së çështjes së emrit dhe përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Me Kocijasin Dimitrov ndërkohë sot pasdite zhvilloi takim joformal. Shefi i diplomacisë së Maqedonisë tha se marrëdhëniet miqësore mes politikanëve lehtësojnë vendimet politike.

“Çështja me emrin është aq e rëndësishme saqë të gjitha fazat janë të rënda, kështu që presim diskutime themelore dhe shpresoj në progres. Mendoj se sjellja edhe e Republikës së Maqedonisë por edhe të fqinjëve tanë Greqisë në aspekt të procesit sinjalizon se procesi është në një fazë delikate dhe jemi të fokusuar pikërisht në këto bisedime”, u shpreh Nikolla Dimitrov, Ministër i Punëve të Jashtme.

Në takimin joformal mes Dimitrovit dhe Kocijasit, mori pjesë edhe homologu i tyre ukrainas, Pavlo Klimkin i cili po qëndron në një vizitë dyditore në Maqedoni. Ky i fundit paraprakisht zhvilloi takim me Dimitrovin në të cilin u bisedua për bashkëpunimin e mundshëm mes dy vendeve. Ata njoftuan se së shpejti do të nënshkruhet marrëveshje për lëvizje pa viza mes dy vendeve.

“Sot u morëm vesh që do të nënshkruajmë një marrëveshje për udhëtim pa viza mes dy vendeve. Unë mora premtim nga miku im që ai do të udhëtojë pas disa muajve në Kiev që të nënshkruajmë këtë marrëveshje. Tani për tani ato marrëveshje janë afatshkurta por duhet të nënshkruajmë marrëveshje të përhershme”, u shpreh Pavlo Klimkin, Ministër i Punëve të Jashtme të Ukrainës.

Pas raundit të nesërm të bisedimeve në mes Dimitrovit dhe Kocijasit në Ohër, është paralajmëruar takim i ri i liderëve shtetëror dhe politik. Temë e bisedimeve në këtë takim do të jetë pikërisht çështja me emrin, ndërsa pritet që takimi të mbahet gjatë vikendit të ardhshëm. /albeu.com/
Shtuar më 11/04/2018, ora 17:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori