Osmani: Koalicioni ASH-BESA nuk ka qëllime të mira
Kryetari i Shtabit Zgjedhor të Çairit Bujar Osmani së bashku më kandidatin e BDI-së për Komunën e Çairit, Visar Ganiu sot mbajtën konferencë në sheshin "Skenderbeu" ku falenderuan përkrahësit për mbështetjen.

Në lidhje me koalicionin e Aleancës me Besën Osmani u shpreh se është një koalicion i cili nuk është bërë për qëllime të mira ai shtoi se bashkëpunimi duhet të jetë parimor dhe programor dhe jo çështje e kalkulimeve për kontingjente votash.

"Programin që e prezanton Visar Ganiu është komplementar me programin e kryetarit të qytetit të Shkupit, Shilegov, por edhe me programin e koalicionit të qeverisë LSDM-BDI. Marrëveshjet bëhen në baza programore. Marrëveshjet ndërmjet partive politike bëhen për të përmirësuar ofertën për qytetarët.

Marrëveshjet dhe koalicionet nuk bëhen për të dëmtuar një parti tjetër politike, nuk bëhen për qëllime jo të mira dhe nuk bëhen për t’i mbrojtur fotelet dhe karrierat politike të disa individëve.

Ky është dallimi ndërmjet këtyre dy koalicioneve, koalicionit pro-evropian dhe reformator që dominon në Qeveri dhe koalicioneve që ende do të duhet të shohim se çfarë perspektive kanë.

Bashkëpunimi duhet të jetë parimor dhe programor dhe jo çështje e kalkulimeve për kontingjente votash", deklaroi Bujar Osmani. /albeu.com/

Shtuar më 18/10/2017, ora 15:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori