Kjo është mënyra si t'i ndihmojmë familjarët e aksidentit
Vetëqeverisja lokale e Gostivarit hapi llogari të veçantë donacioni për ndihmë të familjarëve të viktimave dhe të lënduarve në aksidentin me autobus në afërsi të fshatit Llaskarcë.

Vendimi i Këshillit të Komunës së Gostivarit, për hapjen e llogarisë ishte miratuar unanimisht në seancën e 12-të dhe ajo tanimë është aktive. Mjete mund të dhurohen në xhirollogarinë me numër: 716024021578990 Kodi i të ardhurave: 72591600 Qëllimi i pagesës: Mbështetje e viktimave në tragjedinë e Llaskarcit.

“Gostivarasit dhe qytetarët e Maqedonisë përgjithësisht, çdoherë kanë ditur të tregohen humanë dhe solidarë. Ta tregojmë edhe këtë herë humanizmin dhe ta ndajmë dhimbjen së bashku me viktimat në tragjedinë më të madhe që e goditi Gostivarin”, citojnë nga vetëqeverisja lokale. Xhirollogaria do të hapet në kohë të pacaktuar, ndërsa varësisht prej mjeteve të mbledhura, Këshilli do të vendosë për mënyrën dhe shumën që do të ndahet në mënyrë individuale.

Nga vetëqeverisja lokale përkujtojnë se familjet e viktimave dhe udhëtarët e tjerë në aksidentin në Llaskarcë mund të dorëzojnë kërkesë për ndihmë financiare në Qendrën e Shërbimit Komunal, që gjendet në katin e parë të ndërtesës komunale. Në pajtim me vendimin e Këshillit të komunës së Gostivarit familjeve të viktimave u jepet ndihmë financiare prej 30.000 denarëve, ndërsa udhëtarëve të tjerë nga 15.000 denarë. “Një pjesë e familjeve dhe qytetarëve që u takon kjo ndihmë financiare, tani janë paraqitur, ndërsa të tjerët për ta realizuar këtë të drejtë patjetër duhet që të dorëzojnë kërkesë”, thonë në komunën e Gostivarit.
Shtuar më 18/03/2019, ora 11:25

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori