Këta janë 9 kandidatët për president nga VMRO-DPMNE
VMRO-DPMNE-ja i shpalli sot emrat e kandidatëve të paraqitur për kandidat për president të shtetit. Deri tek kjo parti opozitare kanë arritur gjithsejtë 10 kandidatura, ndërkohë që një kandidaturë nuk është pranuar meqë është dorëzuar pas skadimit të afatit.

Kandidatë për presidentë janë paraqitur: profesori Nikita Shektukovski, kryetari i Odës Ekonomike për Energjketikë Gjorgi Manaskov, tekniku farmaceutik Vasko Kostov, deputeti Vllatko Gjorçev, profesoresha Gordana Siljanovska-Davçeva, Filip Petrovski, profesori në pension në Fakultetin e Pylltarisë Ilija Dimovski, ish-kryetari i Vinicës Goran Angellov dhe doktori i shkencave të bujqësisë Sasho Kutlleshoski.

Siç njoftoi në konferencën e sotme për shtyp nënkryetari i partisë më të madhe opozitare maqedonase, Vllado Misajllovski, kandidatët e paraqitur deri më 16 shkurt do të duhet të promovojnë programin e tyre në komitetet komunale të partisë. Ndërkohë që fjalën e fundit e ka Konventa e partisë që do të mbahet më 16 shkurt në Strugë.

"Të gjithë kandidatët do të kenë trajtim të barabartë dhe mundësi të barabarta për t'u zgjedhur, sipas parimeve dhe demokracisë. Procesi do të jetë transparent dhe demokratik, me qëllim që të zgjidhet kandidati që do ta përfaqësojë qëndrimin e shumicës së qytetarëve dhe do të punojë në pajtim me ligjin, në dobi të të gjithë qytetarëve, tha Misajllovski.


Shtuar më 05/02/2019, ora 13:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori