Kërkoi shqipen në uniformë, largohet nga puna ish ushtari i UÇK-së!
Amdiraif Ademi nga fshati Shemshovë thotë se është përjashtuar nga puna nga ana e drejtorit të Agjencisë shtetërore për rrugë, Lupço Bllazhevski, vetëm pse ka refuzuar të veshë uniformën e punës e cila ka qenë me mbishkrime në gjuhën maqedonase.

“U kam treguar se nuk e veshi uniformën e cila është vetëm në gjuhën maqedonase dhe për këtë shkak më 10 shtator drejtori kishte sjellë vendimin për të më larguar nga puna”, deklaroi për “Lajm”, Ademi, i cili ka qenë i punësuar si inkasant në pikë pagesat rrugore.

Ai thotë se këtë vendim do të ankimojë në gjykatë dhe se nuk do të veshë uniformën njëgjuhësore edhe nëse për këtë duhet të paguaj çmim të shtrenjtë.

“Drejtësinë do ta kërkoj në gjykatë. Atë uniformë un nuk do ta veshi deri sa nuk bëhet edhe në gjuhën shqipe, bile edhe nëse e humbi vendin e punës”, thekson Ademi. Pas dhjetë viteve punë në këtë ndërmarrje, ai tani përballet me pasiguri nëse do kthehet në punë ose do të mbetet rrugëve. Mirëpo thekson se rasti i tij nuk është rasti i vetëm ku shqiptarët e punësuar në Agjencinë e rrugëve shtetërore përballen me probleme.

“Për shkak të presionit të vazhdueshëm numri i shqiptarëve në këtë ndërmarrje po zvogëlohet dita ditës, deri sa numri i maqedonasve po rritet pa ndërpre. Sipas informatave që i kam para tani shpejt janë pranuar 30 maqedonas në këtë ndërmarrje dhe asnjë shqiptar. Guha shqipe nuk përdoret jo vetëm në uniforma, por as në dokumente. Askund”, thotë Ademi në bisedë telefonike për “Lajm”, duke shtuar se presionet ndaj të punësuarve shqiptarë kanë filluar që kur ndërmarrja është ndarë në dy pjesë – Agjenci shtetërore për rrugët dhe “Makedonija Pat”.

Njerëz të afërt me Ademin thonë se ai ka qenë ish pjesëtar i UÇK-së, por se këtë fakt nuk dëshiron ta keqpërdorë në këtë rast, duke dashur që luftën e tij për gjuhën shqipe ta zhvillojë si qytetar i thjeshtë, pasi është i bindur se drejtësia është në anën e tij. /albeu.com/
Shtuar më 13/09/2013, ora 13:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori