KE kritikon Maqedoninë për harxhimet e tepërta të buxhetit
Pëlqej
Qeveria e Maqedonisë
Raporti i Komisionit Evropian mbi arritjet e Maqedonisë për këtë vit, konsiderohet përgjithësisht si pozitiv por ai përmban mjaft vërejtje.

Buxheti i madh dhe harxhimet e tepërta të qeverisë janë vërejtjet kryesore në pjesën e ekonomisë në raportin e Komisionit Evropian. Kjo gjendje nuk është e qëndrueshme në afat të mesëm, sepse në vend ka ulje të vazhdueshme e të hyrave prej taksave publike.

Komisioni vlerëson se jo vetëm që nuk janë ulur harxhimet publike vitin e kaluar edhe pse të hyrat e shtetit kanë shënuar rënie, por qeveria ka harxhuar para në projekte të këqija, gjegjësisht ka devijim të mjeteve prej investimeve kapitale në transferime dhe subvencione të ndryshme.


Nga Maqedonia pritet përparim në dialogun politik, në luftën kundër korrupsionit, përshpejtim i reformave në gjyqësor dhe në administratën publike, kërkohet liri më e madhe për mjetet e informimit. Gjithashtu nënvizohet nevoja për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule deklaroi se Komisioni i thekson rekomandimet e veta se negociatat për inkuadrim drejt BE-së duhet të hapen, por se në këtë drejtim zgjidhja e emrit është me rëndësi qenësore.

Maqedonia vazhdon t'i plotësojë kriteret politike. Komisioni i thekson rekomandimet e veta se negociatat për inkuadrim drejt BE-së duhet të hapen. Megjithatë, unanim është mendimi se për fillim të negociatave nevojitet zgjidhje e përbashkët e pranueshme dhe e arritur në bisedimet për çështjen e emrit nën patronatin e KB-së”, deklaroi eurokomisioneri Shtefan Fule në konferencën për shtyp në Bruksel, duke i publikuar raportet për përparimin e vendeve-kandidate dhe aspirante për anëtarësim në BE për vitin 2010.

Në raportin e KE thuhet se Maqedonia duhet të punojë në përmirësimin e marrëdhënieve me shtetet fqinje.

"Çështja për emrin me Greqinë mbetet e pazgjidhur. Dy vendet mbajnë bisedime nën patronatin e KB-së për zgjidhjen e tij. Janë mbajtur shumë kontakte dypalëshe, përfshirë edhe ato në nivelin kryeministror, edhe pse deri më tani nuk ka rezultat konkret. Aktivitete dhe deklarata të cilat do të mund të kenë efekt të pavolitshëm mbi marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore, përfshirë edhe zgjidhjen e përbashkët të pranueshme për emrin nën patronatin e KB-së është me rëndësi themelore", thuhet në Raportin e KE-së.
Shtuar më 09/11/2010, ora 18:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori