Jozefina Topalli, qytetare nderi e Çairit
Jozefina Topalli
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Jozefina Topalli, gjatë vizitës së saj dy ditore në Maqedoni, pasi vizitoi sheshin “Skëndërbeu”, Çarshinë e Vjetër dhe Komunën e Çairit, nga kryetari i Komunës, Izet Mexhiti në një ceremoni të posaçme u shpall si qytetare nderi e komunës së Çairit, raporton Zhurnal.

“Të jesh qytetar nderi për Çairin mund të jetë moment i vogël për zonjën e madhe Topalli, por është një nderi i madh për komunën tonë, është një moment i madh në kuadër të këtij mozaiku ngase kështu po plotësohet synimi për të kthyer Shkupin në qendër të shqiptarisë, në këtë mënyrë në vend që Shkupi të konsiderohet periferi e shqiptarisë tash më ai do të jetë epiqendër shqiptare. Tashmë në Shkup për veç Skënderbeut, Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Azem Hajdarit, Tiranës, Prishtinës dhe Shkodrës do të jetë edhe një emër që do të nderojë qytetin tonë, do të jetë kjo zonja Jozefina Topalli”, ka deklaruar kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në fjalën e tij të rastit.

Në fjalimin e saj, pas pranimit të shpalljes si Qytetare nderi, Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Jozefina Topalli u shpreh tepër e befasuar dhe e emocionuar, ndërsa theksoi se ky nder i është bërë jo vetëm asaj por gjithë Shqipërisë.

“Unë nuk e konsideroj si nder ndaj meje, unë mendoj se si kryetare e Parlamentit është një nderim që komuna Juaj ja ka bërë çdo deputeti të Kuvendit të Shqipërisë të gjithë forcave politike, Ju e keni bërë për Shqipërinë. Unë me gjithë zemër ju falënderoj për këtë pritje, për këtë nder, në fakt më keni befasuar me keni prek më keni emocionuar. Unë sot duke ecur nëpër rrugët e komunës tuaj të Shkupit të vjetër në fakt më dukej sikur ecja në rrugët e lagjeve të vjetra të qytetit të Shkodrës, të qytetit tim”, ka deklaruar kryeparlamentarja shqiptare Jozefina Topalli, pas shpalljes, Qytetare nderi e Komunës s Çairit.

Topalli para të pranishmëve theksoi se shqiptarët kanë të njëjtën pasuri kombëtare, se jemi shumë, dhe se me të vërtetë shqiptarët janë ndarë në pesë shtete, por kanë një identitet dhe mbi të gjitha ne janë evropian. /albeu.com/
Shtuar më 04/04/2012, ora 10:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori