Nëna e 4 fëmijëve mes lotësh pas vdekjes së bashkëshortit: Jeta ime u mbyll

Emisioni “Historia ime”, në Tv Klan solli sot një histori tepër të vështirë të 37-vjeçares Njoftime Ymeraj. Ajo është nënë e 4 fëmijëve dhe prej 3 vitesh ka humbur bashkëshortin si pasojë e një infarkti.

Vdekja e tij e ka lënduar shumë dhe dhimbja vazhdon të jetë e njëjtë si në momentin kur ka mësuar lajmin. Në studio, Njoftime mes lotësh dhe e veshur në të zeza ka treguar se nuk ka ndërmend ta heqë ndonjë ditë zinë. Për të jeta është mbyllur kur bashkëshorti mbylli sytë dhe u largua nga kjo botë.

Mirela Milori: Ka tre vite që bashkëshorti është larguar nga jeta dhe ti e përjeton ende?

Njoftime Ymeraj: Ai ka qenë një shok, bashkëshort, një prind, ai ka qenë dhe është. Ai nuk ka për të ikur asnjëherë nga jeta ime. Ai ishte njeriu më perfekt dhe më i mirë.

Mirela Milori: Ti kur ke qenë 10 vjeç ke humbur dhe nënën?

Njoftime Ymeraj: Kam qenë 8 vjeç kur humba mamin, pastaj kam jetuar me babain tim. Ka qenë një histori pak e vështirë, një fëmijë të jetojë vetëm me babain, sepse babai im nuk është martuar prap dhe e kemi vazhduar jetën të dy si shokë, derisa unë vendosa të martohesha.

Mirela Milori: Ishte një martesë me mblesëri në fakt?

Njoftime Ymeraj: Po ma kanë prezantuar, kemi vazhduar historinë tonë deri aty ku bëmë edhe 4 fëmijë.

Mirela Milori: Ishte një martesë me mblesëri, por rezulton në një dashuri shumë të madhe dhe është e dukshme ajo ndjenjë që ke ti. Si arriti të të bënte pas vetes ky njeri, që ti ta duash kaq shumë edhe pas vdekjes?

Njoftime Ymeraj: Sepse ishte, është më saktë një person perfekt në kuptimin e fjalës, çdo të mirë dhe të keqe ne e ndanim bashkë.

Mirela Milori: Si pasojë e një sëmundje në zemër u largua Sokoli nga jeta?

Njoftime Ymeraj: I ka rënë infarkt.

Mirela Milori: Vuante nga zemra apo diçka e papritur?

Njoftime Ymeraj: Jo nuk është se vuante, por diçka e papritur.

Mirela Milori: Kur ndodhi? Si? Mund të na e tregosh?

Njoftime Ymeraj: Ka qenë 24 Nëntor, kur Sokoli ka pasur një punë të vetën, ka pasur një bar me qira dhe kur ka shkuar në punë, pastaj nuk është kthyer më, i ka rënë infarkt. Nga shokët e tij e mësuam se ishte i sëmurë.

Mirela Milori: Në fakt ju nuk jeni celebruar zyrtarisht?

Njoftime Ymeraj: Po!

Mirela Milori: Po pse? E neglizhuat?

Njoftime Ymeraj: Po e neglizhuam dhe nuk kishim bërë një martesë, një dasmë. Kishim vendosur që kur të sillnim në jetë pasurinë tonë më të bukur do kurorëzonim dhe lidhjen tonë.

Mirela Milori: Ti nuk je e martuar ligjërisht?

Njoftime Ymeraj: Po!

Mirela Milori: E shikoj që nuk je lyer? E ke në shenjë zie këtë? Ti vazhdon të mbash zi si ditën e parë?

Njoftime Ymeraj: Po sepse ai është njeriu më i dashur dhe nuk kam fjalë për ta përshkruar dhe nuk mundem për asnjë gjë në jetën time.

Mirela Milori: Ti je shumë e re. Jetën e ke përpara. Nuk mund të vazhdosh jetën e vetme me 4 fëmijë, do detyrohesh edhe ti të nisësh një jetë me dikë. I ke menduar këto?

Njoftime Ymeraj: Jeta ime është mbyllur aty, kur Sokoli ka mbyllur sytë në ato momente dhe e vetmja gjë në jetën time është që ata 4 fëmijët e mi të rriten më të lumturit në botë dhe unë të bëj gjënë më të duhur për ata fëmijë që të jenë dikush në jetë.

Mirela Milori: Je shumë e re dhe je kokë e këmbë me të zeza. Sa kohë mendon të vazhdosh me këtë gjendje?

Njoftime Ymeraj: Nuk kam menduar ndonjëherë që ti heq! /TVKLAN


Shtuar 20.01.2020 18:26