Ambasadorët e BE-së optimistë: Këtë muaj, Brukseli mund të sjellë vendim pozitiv për Maqedoninë e Veriut

Ambasadorë të disa vendeve të BE-së në vend, shprehen optimistë se Brukseli mund të sjellë vendim pozitiv për Maqedoninë e Veriut në dhjetor.

Ambasadori i Sllovenisë, Millan Predan, vlerëson se një vendim pozitiv në dhjetor që do të bëhej formale në janar është i mundur nëse së shpejti në Bullgari do të kemi Qeveri të re.

“Ne ende jemi optimistë, por patjetër ta pranojnë se ende nuk ka qeveri në Bullgari, por edhe shumicë të qartë parlamentare këtu. Që të arrihet deri në zgjidhje duhet dyja vendet të jenë më aktive. Shpresojmë se Shkupi dhe Sofja do të arrijnë kompromis për çështjet bilaterale. Në ditët në vijim, do të ketë dialog të ri mes grupeve të ekspertëve. Ka mundësi për vendim në dhjetor, e cila do të bëhej formale në janar, por vetëm nëse Bullgaria formon Qeveri”, ka thënë Millan Predan, ambasador i Sllovenisë në RMV.

Ambasadori i Çekisë, Mirosllav Toman, vendi i të cilit duhet të marrë kryesimin e BE-së në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, deklaroi se prioritet do ta kenë zgjerimin.

“Ne do ta marrim kryesimin në korrik. Por do të dëshironim që më së shumti të fokusohemi në çështje të tjera, se në mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Për shkak se dëshirojmë që kjo të ndodhë sa më shpejtë që është e mundur”, u shpreh Mirosllav Toman, Ambasador i Çekisë.

Ambasadori i Sllovakisë Henrik Markush, vlerëson se pasojat për zvarritjen e zgjerimit të BE-së, vijnë nga reformat dhe metodologjia e presidenti francez Emanuel Makron.

“Në të ardhmen do të shohim nëse metodologjia e re do të jetë instrument efikas, por ne besojmë se në tetor të vitit 2019 duhet të sillet vendim për hapjen e negociatave, ndërsa metodologjia e re të zbatohet paralelisht. Ajo ishte gabim i madh dhe sot i shohim pasojat shumë të këqija nga ajo”, pohoi Henrik Markush, ambasador i Sllovakisë.

Optimizmin që diplomatët evropianë e shprehën në një tribunë për perspektivën evropiane, e zbehu presidenti bullgar Rumen Radev. Gjatë takimit në Strasburg me presidentin e Gjermanisë, Frank Valter Shtajnmajer, Radev ka kërkuar që Maqedonia e Veriut të dëshmojë pjekuri evropiane.

“Fqinji jonë jugperëndimor, duhet të dëshmojë pjekuri evropiane dhe respekt të vlerave të BE-së, duke ndërmarrë aktivitete konkrete për ndalimin e gjuhës së urrejtjes ndaj Bullgarisë në librat e historisë, në institucionet shtetërore dhe shkencore, mediat publike, të ndalojë me falsifikimin e trashëgimisë kulturore dhe historike të Bullgarisë, e në veçanti ti respektojë të drejtat e qytetarëve të saj, të cilët hapur e shprehin identitetin e tyre bullgar”, tha Rumen Radev, President i bullgarisë.

Pala bullgare disa herë ka bërë të ditur se nuk e konteston identitetin dhe gjuhën maqedonase, por kërkon që zyrtarët e Maqedonisë së Veriut të pranojnë se bëhet fjalë për gjuhë dhe identitet të ri, të krijuar pas vitit 1945, dhe se para kësaj periudhe ato kanë pasur prejardhje bullgare. Pala bullgare kërkon gjithashtu që Maqedonia e Veriut në kushtetutë të bëjë përfshirjen e pakicës bullgare./ Alsat.mk