Ja plazhet më të pastra në Shqipëri për pushimet e kësaj vere
Kreu i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Julian Beqiri ka publikuar gjatë një konference për shtyp të dhënat e monitorimit paraprak të cilësisë së ujërave përgjatë vijës bregdetare për vitin 2017.

Nga monitorimi i kryer gjatë muajit maj 2017, rezulton se këtë vit plazhet shqiptare janë të një cilësie shumë të mirë.

"Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka bërë një monitorim kampionimi në 102 pika përgjatë vijës bregdetare dhe ka realizuar monitorimin e ujërave larës në 20 plazhe. Nga analizat rezulton cilësi shumë e mirë në rreth 99 pika monitorimi pra mund të themi që plazhi mirëpret me një cilësi shumë të mirë uji të gjithë pushuesit", u shpreh Beqiri.

Duke folur për rezultatet e monitorimit Beqiri tha se cilësia e ujit është shumë e pastër por cilësia e rërës len akoma për të dëshiruar.

"Gjatë monitorimit kemi vënë re se kemi problematika përsa i përket jo cilësisë së ujit por cilësisë së rërës.

Mungojnë koshat për hedhjen e mbeturinave, mungon informacioni që mund t’u jepet nga pushteti lokal pushuesve me tabela ku të jepen të dhëna për cilësinë e plazheve, pasi është mirë që informacioni të ndahet me qytetarët.

Pushteti lokal është ende shumë larg punës që duhet të bëjë,për një mirëmenaxhim të duhur të plazheve", tha Beqiri.

Në bazë rezultateve të fazës paraprake të cilësisë së ujërave larës për vitin 2017 rezulton se:

- Cilësia e ujërave është shumë e mirë në plazhet e Divjakës, Velipojës, Tales, Shëngjinit, Gjiri të Lalzit, Golemit, Qerretit, Spillesë, Orikumit, Zvërnecit, Vlorës, Dhërmiut, Himarës, Qeparoit, Borshit, Ksamilit, Sarandë, Semanit, Durrësit dhe Palasës.

- Cilësia e ujërave është e mirë në 3 pika monitorimi, tek Shkolla e Marinës në Vlorë, tek Kanali i Çukës në Sarandë dhe tek Kompleksi Giardino në Durrës.

Të treja këto pika një vit më parë kanë rezultuar me cilësi të keqe të ujërave.

- Cilësia e Ujërave është përkeqësuar në 2 pika të plazhit të Durrësit, konkretisht në Plazhin Zhiron dhe Pas Kanalit tek Plepat ku në bazë të analizave të kampioneve të marra, ujërat kanë rezultuar me një cilësi të keqe.

Monitorimi paraprak i AKM-së për vitin 2017 është shtrirë në 102 pika nga 99 pika në vitin 2016 dhe 78 pika në vitin 2015 duke rritur në këtë mënyrë monitorimin gjatë gjithë vijës bregdetare.

Në listën e plazheve të monitoruara për herë të parë është shtuar edhe Plazhi i Palasës me dy pika monitorimi të cilat kanë rezultuar të një cilësie shumë të mirë. /albeu.com/


Shtuar më 14/06/2017, ora 13:01

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori