Ja cila është kandidatja shqiptare e LSDM-së për Haraçinën (VIDEO)
Po afron afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave për kryetarë komunash nga partitë politike dhe partitë janë në përmbyllje të emrave.

LSDM do të kandidojë me një kandidate shqiptare në zgjedhjet lokale në komunën e Haraçinës. Ajo është Militie Halimi.
Kandidaturën e bëri publike vetë kryetari i LSDM-së gjatë vizitës në Haraçinë për festën e Bajramit.

LSDM tashmë ka gati rreth 70 për qind të kandidaturave dhe Zaevi thotë se po diskutohet edhe për koalicione të mundshme me parti edhe jashtë koalicionit aktual, por edhe me partitë shqiptare.

“Me siguri do të bisedojmë edhe me partitë shqiptare, shpresoj se do të kemi sukses edhe në atë drejtim. Tashmë dihet se si parti multietnike do të kandidojmë shqiptarë në komunat shqiptare. Bukuria, gëzimi dhe avangarda e konceptit tonë është përzgjedhja e një zonje në Haraçinë, ajo është femër, shqiptare dhe quhet Militia Halimi, e cila përfaqëson njërin nga kandidatët në këtë raund zgjedhor. Është person që tashmë e ka dëshmuar veten në shumë sfera të jetës, është nga Haraçina dhe jeton këtu”,- theksoi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Për të pritur Zaevin kishin dalë edhe votuesit e tij shqiptarë në zgjedhjet e fundit parlamentare, por edhe të tjerë që donin drejtpërdrejt të jepnin vërejtjet e tyre për politikat aktuale të qeverisë.

“Ne të gjithë po punojmë bashkim të ketë, jetesën ta kemi të mirë, të përparojë bashkimi mes nesh”,- theksoi një banor i Haraçinës.

“Dihet botërisht se në Maqedoni ka pasur revolucion, pas çdo revolucioni politika ka të drejtë të ndërhyjë në ato pika të cilat është bërë padrejtësi, fatkeqësisht Zaevi po vazhdon manipulimet”,- u shpreh një banor i Haraçinës.

Edhe partitë e tjera vazhdojnë të marrin mendimet e degëve për emrat e kandidatëve të mundshëm. Përzgjedhja e degëve të BDI-së në Saraj është ish-ministri, Blerim Bexheti, i cili pret tani vendimin e kryesisë qendrore.

Integristët tashmë kanë zyrtarizuar kandidaturat për Çairin dhe Kërçovën, madje Dehari ka marrë mbështetjen edhe të Aleancës për Shqiptarët.

Nga Aleanca, BESA dhe PDSh-ja ende nuk i kanë bërë publike kandidaturat e sigurta, por thonë se punojnë për të zgjedhur më të mirët. Afati për dorëzimin e kandidaturave në KShZ përfundon më 14 shtator.
Shtuar më 02/09/2017, ora 09:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori