Ja çfarë deklaruan në sallën e gjyqit të akuzuarit e "Grupit të Kumanovës"
Sot u mbajt seanca e rradhës gjyqësore në ngarkim të Grupit të Kumanovës, të akuzuar nga drejtësia maqedonase për "terrorizëm" dhe "organizatë terroriste" në lidhje me ngjarjet e majit të shkuar në Lagjen e Trimave në Kumanovë, shkruan Portali Albeu.

Ja disa prej deklaratave të të akuzuarve:

"Kërkoj prej BE-së dhe SHBA-së të zbardhin rastin sepse ne nuk jemi terroristë. Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj na kanë thënë se ne vetëm do të jemi figura dhe nëse vjen policia do të gjuani vetëm lartë dhe nuk do t’i sulmoni ato. Edhe një fëmijë dy-vjeçar e di se ne kemi qenë të shfrytëzuar për qëllime politike prandaj nuk e pranojmë fajin dhe kërkojmë drejtës", tha Nasuf Beqiri.

Rufki Dogani, i akuzuari tjetër, ka pyetur se, pse Beg Rizaj, Mirsad Ndrecaj, Valon Kabashi, Sami Kastrioti dhe të tjerë, janë vrarë pas dorëzimit në stacionin policor?!

Valdet Zekaj, ka porositur gjykatën e Republikës së Maqedonisë të mos i imitojnë serbët sa i përket akuzave për terrorizëm.

"Mos i imitoni serbët me këto terme për terrorizëm, ju tentoni të fshihni të vërtetën. Duhet ti hapni rrugë të vërtetës", th Zekaj.

"Të më bëhet kontroll mjekësor se a jam unë i çmendur apo normal. Si mendoni ju, unë afër familjes time do të kryeja akt terrorizmi?! Cili i çmendur do të bënte një akt të tillë?!", tha Fadil Fejzullahu nga Kumanova, raporton Portalb.

"Ky është rast i rëndë, më i rëndi dhe shumë i komplikuar. Ju porosisë të ecni në hapa të vërtetë dhe të gjeni drejtësinë". Me këto fjalë i është drejtuar gjykatës i akuzuari Nexhmedin Lika.

Arsim Bajrami, i akuzuar tjetër, ish punëtor në policinë e Maqedonisë, e ka kujtuar gjykatën për deklaratën e para dy dite të njërit prej të akuzuarve kur tha se njerëz të DSK-së janë përfshirë në këtë ngjarje.

"Në vazhdim do të përmenden edhe emra të këtyre. Unë 9 muaj jam në paraburgim në kushte shumë të këqija. Kjo më shkakton probleme shëndetësorë, psiqike dhe fizike. Mua edhe po të më jepej mundësia të kthehem nesër në punë, nuk do të kthehesha për shkak principeve të mia morale. Ata që e kanë krijuar këtë lojë duan me mua të fshehin "lojërat" e veta. Mua më kanë si perde e pjesëtarëve tjerë në MPB. Këtë duhet ta dijë opinioni. Unë kurrë nuk do ta kisha bërë një vepër të tillë. Ky rast duhet të zbardhet sepse ia kemi borxh kolegëve dhe të vdekurve tjerë", ka deklaruar Bajrami.

Seanca e radhës është caktuar për më 23 shkurt, ku pritet të nisë dëgjimi i dëshmitarëve. /albeu.com/
Shtuar më 11/02/2016, ora 16:30

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori