Ivanov: Kërko falje, Orav: S'fyeva askënd
Presidenti Gjorge Ivanov ka thirrur sot në një takim urgjent ambasadorin e BE-së në Shkup, Aivo Orav termit "sllavo-maqedonas" të përdorur nga diplomati në Parlamentin Europian. Nga Kabineti i Presidentit nuk kanë dhënë shumë hollësi rreth këtij takimi, megjithatë jozyrtarisht mësohet se Ivanov ka kërkuar nga Ambasadori i BE-së që t’i kërkojë falje publike popullit maqedonas dhe t’i respektojë parimet themelore për vetëvendosje dhe vetëpërcaktim.

Përgjigjja e ambasadorit të BE-së Aivo Orav nuk vonoi. Por ai zgjodhi mediat shtetërore që të deklarojë se nuk ka dashur të fyej askënd.

"Nuk dhashë asnjë deklaratë politike, as nuk synova të fyej dikë. Ne në institucionet e BE-së e kuptojmë se sa e ndjeshme është kjo çështje në vend, dhe unë personalisht e kuptoj se sa është e ndjeshme", u shpreh Orav për mediat shtetërore.

Ministri i Jashtëm Nikolla Popovski, nga ana tjetër porositi që përfaqësuesit e BE-së në mënyrë jo selektive të respektojnë dhe promovojnë vlerat evropiane.

"Është me rëndësi që njerëzit që e përfaqësojnë BE-në të kontribuojnë në afirmimin e vlerave që janë të rëndësishme për integrimin në BE-së, sikurse respekti i ndërsjellë, respektimit i të drejtës së tjetrit për vetë-përcaktim, dhe vetë-identifikimit..vlera që janë pjesë e BE-së, në një mënyrë jo diskriminuese dhe parimor", deklaroi ministri i jashtëm, Nikolla Popovski.

Opozita nga ana tjetër veprimin e Ambasadorit evropian e cilësoi si sulm ndaj diplomacisë maqedonase, dhe ftoi qeverinë të ndërmarrë veprime adekuate.

"Ky është një sulm i fuqishëm ndaj politikës së jashtme maqedonase. Ne nuk duam të besojmë se bëhet fjalë për një pazarllëk të koordinuar, që me çmimin e kthimit të mbiemrit ‘maqedonase’ në raportin e BE-së, qeveria eventualisht në heshtje të ketë rënë dakord që përfaqësuesit e BE-së në të ardhmen të përdorin termin ‘sllavomaqedonas’ për identitetin tonë andaj tani Kryeministrit Gruevski i takon të dëshmojë vendosmërinë e Maqedonisë për mos pranimin e kësaj praktike të re dhe ta mbrojë dinjitetin e popullit të maqedonas", tha nënkryetari i LSDM-së, Gordan Georgiev.

Sipas asaj që raporton Alsat-M, fjalimi i ambasadorit rë BE-së, Aivo Orav gjatë të cilit ka përdorur termin sllavo-maqedonas disa ditë më parë në Bruksel ka qenë në qendër të takimit të sotëm të kryeministrit Nikolla Gruevski me ambasadorët e akredituar në vend. /albeu.com/
Shtuar më 19/11/2012, ora 18:34

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori