Ivanov i ikën debatit në Kuvend
Në seancën e sotme plenare të Kuvendit, Ivanov nuk është paraqitur, ku po debatohet për përgjegjësinë e tij politike- përgjegjësi. Deputeti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov ka kërkuar që në Kuvend të paraqitet edhe vet presidenti Gjorge Ivanov, derisa po debatohet për përgjegjësinë e tij politike.

"Do të ishte mirë që presidenti të marrë pjesë në debat. Nëse duam të kemi debat kualitativ, prezenca e presidentit është e domosdoshme", tha Trajanov.

Në ndërkohë kryeparlamentari Trajko Veljanovski ka kujtuar deputetin Trajanov se Kuvendi ka dërguar ftesë deri te institucioni i presidentit, por që vendimi për të marr apo jo pjesë është individual.

Të njëjtën e ka përsëritur edhe deputeti i VMRO-DPMNE-së Ilija Dimovski. "Nuk është i obliguar presidenti që të marrë pjesë në seancë. Përgjegjësia e tij është para qytetarëve dhe Kuvendit. Megjithatë u vërtetua se ai nuk ka shkelur Kushtetutën", potencoi ai.

Deputetja e LSDM-së Renata Deskoska, njëra prej iniciuesve të impiçmentit, tha se Ivanov me heshtje dhe mosparaqitjen e tij në Kuvend pranoi fajin. "Ivanov me tërheqjen e vendimit e pranoi fajin. Me tërheqjen e vendimit nuk mund të amnistohet Ivanov nga përgjegjësia. Kuvendi është sot para testit të Kushtetutës dhe qytetarëve. Shkelja e Kushtetutës është shkelje e vullnetit të qytetarëve. Ivanov pengoi punën e Prokurorisë Speciale Publike. Ai me heshtje dhe mosparaqitjen e tij në Kuvend pranoi fajin. Ivanov me tërheqjen e vendimit e pranoi fajin", theksoi Deskoska.

Në mbrojtje të presidentit Gjorge Ivanov doli edhe Zoran Ilievski nga VMRO-DPMNE, i cili njëherit ishte edhe kryetar i Komisionit për vlerësimin e propozimit për përgjegjësi politike të Ivanovit.

"Komisioni solli vlerësim se impiçmenti nuk është i bazuar. Ivanov nuk ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin. Për të pasur përgjegjësi politike duhet të shkelet Kushtetuta. Ne vlerësojmë se Kushtetuta nuk është shkelur", deklaroi Ilievski.

Për deputetin e BDI-së Rafis Aliti, është akt moral i presidentit të jep dorëheqje. "E them këtë sepse ka dëmtuar sistemin juridik të vendit, ka shkelur Kushtetutën. Ka prishur imazhin e vendit. Reagimet e qendrave botërore ishin të qarta. Ivanov shkeli mbi drejtësinë në Maqedoni", tha Rafis Aliti.

Opozita e inicioi procedurën për impipçmet më 13 prill, një ditë pas vendimit të presidentit Ivanov për faljen e 56 personave. Më 27 maj ai e tërhoq abolimin për, siç theksoi, 22 persona të eksponuar politik. Ivanovi i orientoi 34 personat tjerë të cilët nuk duan të falen, të parashtrojnë kërkesë për anulimin e vendimeve të cilat u dedikohet atyre. Pastaj më 6 qershor, Ivanov i anuloi edhe vendimet tjera për falje. /albeu.com/

Shtuar më 13/06/2016, ora 15:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori