Ivanov dhe Gruevski do të përpiqen, por s'do të mund ta ndalin qeverinë LSDM-BDI
Formimi i Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, emërimi në krye të saj nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski dhe kandidimi për kryetar të Kuvendit nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, Talat Xhaferi, sipas njohësve të çështjeve politike dhe juridike paraqet kompromis i grupeve parlamentare dhe pavarësisht asaj se edhe më tej Gjorge Ivanov nuk vendos që të mandatojë Zora Zaevin, sërish formimi i Qeverisë do të arrihet.

Kështu vlerësojnë profesorët universitar Sefer Tahiri dhe Besa Arifi, shkruan Portalb.mk.

“Vlerësoj se zgjedhja e kryetarit të Komisionit nga radhët e VMRO-DPMNE-së është një kompromis i bërë ndërmjet grupeve parlamentare në funksion të zhbllokimit të punës së Kuvendit. Tani më nuk ka asnjë pengesë juridike që të vazhdojë seanca plenare e Kuvendit të Maqedonisë në të cilin do të thirret kryetari i Kuvendit ku do te zgjidhen trupat punues të komisioneve tjera parlamentareKuvendit, gjë që do ta bënte funksional dhe do ta vente në lëvizje këtë institucion shtetformues”, vlerëson Tahiri.

Por në këtë rrjedhë të zhvillimeve politike, Tahiri e thekson edhe mundësinë e ndryshimit të qëndrimit të presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i cili pas kthimit të funksionit të Kuvendit, do ta shqyrtojë edhe një herë mundësinë e mandatimit të kreut të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaevin.

Por ai gjithashtu theksoi se edhe nëse Gjorge Ivanov nuk ndryshon qëndrim, sërish Qeveria do të formohet vetvetiu.

“Zgjedhja e kryetarit të Komisionit dhe më pas e kryetarit të Kuvendit me shumë gjasë do të ndikojë edhe te kryetari Ivanov që në njëfarë mënyre të mendojë edhe njëherë se vallë a duhet t’i jepet mandati për formim të Qeverisë kreut të LSDM-së i cili tashmë ka siguruar mbështetjen për të. Por edhe nëse Ivanov nuk ndryshon qëndrim, kjo mënyrë e zhvillimit politik do të mundësojë formim të vetvetishëm të Qeverisë”, u shpreh Sefer Tahiri.

Profesoresha universitare, Besa Arifi, shprehet më pesimiste në tërë këtë raport politik, ngaqë siç shprehet ajo, “VMRO-DPMNE-ja me çdo kush do të mundohet të bllokojë procesin e trasferimit të qetë të pushtetit pasi që është e vetëdijshme që kjo do të thotë edhe bartje e përgjegjësisë penale për krimet që hetohen nga Porkuroria Speciale Publike”.

Krahas bllokimi të transferimit të qeverisë, ajo VMRO-DPMNE-në e sheh pengesë edhe në zgjedhjen e kryeparlamentarit por, këtu sërish ka një shkëndijë shprese që edhe nëse Ivanov refuzon t’ia jep mandatin Zoran Zaevit, Qeveria do të mund të formohet me anë të shumicës parlamentare, e cila sipas Arifit do të nënkuptone edhe “shembje e përpjekjes së kundërligjshme të rendit kushtetues të vendit që kërkon të bëjë Gruevski dhe VMRO-ja përmes ndihmës së Ivanovit”.

“VMRO-DPMNE do të mundohet me çdo kusht të pengojë zgjedhjen e kryeparlamentarit duke e bllokuar punën e Komisionit për zgjedhje dhe emërime si dhe duke problematizuar këtë zgjedhje ne seancën plenare. Me rëndësi është të dihet që i gjithë ky proces varet nga vendimi i shumicës parlamentare të cilin VMRO nuk mund ta bllokojë. Prandaj duhet qe partitë shqiptare dhe veçmas BDI por edhe të tjerat, të japin përkrahje të qartë për të gjitha proceset që duhet të ndodhin në mënyrë që pushteti të transferohet. Nëse Ivanov edhe më tej refuzon të japë mandatin, nuk mbetet mënyrë tjetër përveç votimit të qeverisë në parlament përmes shumicës se krijuar parlamentare. Një gjë e tillë jo vetëm që është tërësisht në kuadër të kushtetutës dhe të frymës së funksionimit të demokracisë parlamentare por është edhe tejet e nevojshme për t’iu dhënë fund përpjekjes për shembje të kundërligjshme të rendit kushtetues të vendit që kërkon të bëjë Gruevski dhe VMRO-ja përmes ndihmës së Ivanovit”, tha për Potalb, Besa Arifi.

Përndryshe, pas tri ditëve bisedime për Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime është arritur pajtim se pozita e kryetarit të jetë nga radhët e VMRO-DPMNE-së dhe në krye të saj të jetë Ilija Dimovski. Formimi i këtij Komisioni paraqet parakusht për vazhdimin e seancës kuvendore, e cila filloi më 30 dhjetor të vitit 2016, por u ndërpre pasi nuk u sigurua shumicë parlamentare për zgjedhjen e kryetarit të shtëpisë ligjdhënëse.

Ndërsa dje, siç njoftuan nga Bashkimi Demokratik për Integrim shumicën e mbështetjes së deputetëve për kryetar të kuvendit e ka deputeti nga radhët e kësaj partie, Talat Xhaferi, për të cilin pritet të votohet ditën e hënë, por për këtë Lëvizja Besa nuk është në pajtim, pasi siç shprehen nga kjo parti, ata për kryetar të Kuvendit do të propozojnë pëfaqësuesin nga radhët e tyre.

Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit do të hap edhe rrugën e vazhdimit të punës së Parlamentit të Maqedonisë.

Tërë ky rrugëtim politik dhe institucional erdhi si rezultat i refuzimit të presidentit Gjorge Ivanov për mandatim për formim të Qeverisë së Maqedonisë, kreun e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev, edhe pse ky i fundit tashmë pati siguruar 67 nënshkrime.

Refuzimin e mandatimit, Ivanov e aryetoi me Platformën Shqiptare, me të cilën sipas tij Zaev koalicionon me partitë shqiptare dhe kjo cënon integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Maqedonisë. Brukseli dhe faktori ndërkombëtarë qartë disa herë ka bërë thirrje që ai, Ivanov ta ndryshojë vendimin./Portalb/
Shtuar më 25/03/2017, ora 12:04

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori