Hysajt nuk rinovon me Napolin, klubi ka gati zëvendësuesin

Është një telenovelë e vërtetë raporti i Elseid Hysaj me Napolin. Mbrojtësi një sezon më parë ishte pranë largimit nga klubi, por këta të fundit nuk ishin të gatshëm t’i hapnin rrugën.

Më pas, me Ançelotin, shkodrani përfundoi në stol duke humbur protagonizmin. Një protagonizëm të cilin e gjeti më pas me ardhjen e trajnerit Xhenaro Gatuzo.

Ndaj, ai dhe klubi menduan të uleshin në bisedime për rinovimin e kontratës që skadon në vitin tjetër.

Mirëpo, negociatat duket se nuk kanë shkuar në kahun e duhur për Hysajn, i cili ka kërkuar një rregullim në kontratë nga ana e Napolit me drejtuesit që nuk kanë qenë të gatshëm t’ia ofrojnë.

Në këtë formë, palët me shumë mundësi do të ndajnë rrugët në këtë merkato, ndërsa pranë Napolit kanë nisur të qarkullojnë edhe emrat e mundshëm të zëvendësuesit të shqiptarit. Ai për të cilin të kaltrit interesohen më së shumti është Marko Davide Faraoni.


Shtuar 28.08.2020 15:00