Intervistë me poetin Nehat Jahiu: "Një shkrimtar të suksesshëm e bënë vepra e tij"
Nehat Jahiu është një nga shkrimtarët me produktiv që nuk di të ndalet asnjëherë. Deri më tash ka botuar disa vepra madje edhe në anglisht e rumanisht. Vazhdimisht është i pranishëm nëpër shumë portale e revista. Në një intervistë më të gjatë ai flet për krijimtarinë e tij artistike, për guximet e para, momentet frymëzuese, për çelësin e vetëm të shkrimeve. Stili i tij është i veçantë që nuk e ka ndryshuar asnjëherë në krijimtarinë e tij. Ai është i durueshëm dhe i thotë gjerat troç. Ai thotë se gjithkund ka reklamë, pro veç te libri jo. Nehat Jahiu nuk do ta braktisë shkrimin edhe pse siç thotë ai, shkrimi vetëm e varfëron shkrimtarin. Në unin e tij krijues ka një botë të tërë por edhe te veçantë. Ka edhe shumë çka për të thënë, por që nuk e thotë dot akoma.

Për ta njohur më mirë nga jeta dhe veprimtaria. Portali Albeu.com ju sjell intervistën në vazhdim.

A ju kujtohet kur keni filluar të shkruani për herë të parë?
Nehat Jahiu: ”Nehat Jahiu: ”Si nuk më kujtohet se kur i kam nisur fillet e shkrimeve te para dhe mendoj se kurrë nuk do të harrohen, sepse janë të ngulitur në shpirtin tim qe nga ajo kohë e bankave të shkollës, por kuptohet duke i publikuar jo më larg se sa në fletushkën e shkollës dhe duke i lexuar në shkollën time para nxënësve si grup letrar dhe duke shkuar me arsimtarin e gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollat tjera të komunës sonë për t’i prezantuar krijimet tona fillestare si nxënës të shkollës fillore”.

A kishit guxim të shkruanit fillimisht?
Nehat Jahiu: “Është më se reale se në fillim mungonte një guxim, por dalëngadalë me kohën. Ky guxim u tejkalua dhe atë duke falënderuar përkrahjen që na e jepte arsimtari udhëheqës i grupit letrar”.

Çfarë mendoni ju, sa është i rëndësishëm fillimi i mbarë në çfarëdo veprimtarie qoftë?
Nehat Jahiu: “Unë mendoj se çdo fillim është shumë i rëndësishëm dhe i mbarë, si në krijimtari letrare, po ashtu edhe në çfarëdo veprimtarie tjetër qoftë, sepse pikërisht këtu është karriera fillestare që mund të ndalesh dhe të mos vazhdosh dhe është pjesa tjetër e karrierës që mund të vazhdosh të hapërosh drejtë të mbarës dhe sukseseve për në të ardhmen”.

Ke publikuar poezi dhe libra në vende të ndryshme të botës?
Nehat Jahiu: ”Poezi kam publikuar në vende të ndryshme të botës. Kjo është më se e vërtetë, ndërsa sa i përket bashkëpunimit dhe përkthimit edhe këtë e kam bërë në disa vende të botës, por botimet janë bërë këtu vetëm e vetëm për shkak të largësisë së transportit. Ka disa libra tërësisht janë përgatitur deri në finalizim të botimit jashtë vendit tonë, por botimi është realizuara në vendin tonë ose në ndonjë vend të afër të të botës siç është Kosova, gjegjësisht Prishtina. Por kam edhe një libër që është përgatitur dhe botuar në Suedi”.

Cilat janë momentet më frymëzuese për ju?
Nehat Jahiu: “Edhe ju jeni krijues dhe këtë e dini se kur është momenti më i rëndësishëm për frymëzim. Tek unë po ju them se nuk ka momente të caktuara në këtë aspekt. Në të shumtën e rasteve më vjen vet frymëzim, por gjithnjë ka një shkak e që unë mezi pres të më vij ky shkak për ta kapur frymëzimin dhe për ta realizuar. Por, nuk përjashtohen edhe frymëzime të rastit aty për aty që më vijnë pa e kërkuar shumë dhe në këto çaste më ka ndodhur të më dal një krijim i mrekullueshëm për mua, por që është pëlqyer edhe nga lexuesi”.

Kur shkruani më shumë?
Nehat Jahiu:”Kam dëgjuar ose lexuar nga shumë krijues se më shumë shkruajnë në orët e vona të natës që kjo edhe ia vlen të thuhet, sepse edhe mua me ka ndodhur në shumë raste në këtë kohë të shkruaj, por jo gjithnjë. Varësisht se si më ka ardhur inspirimi dhe ka rrjedhur një shkrim si ndonjë ujëvarë që unë nuk e kam pritur se do të ndodhë në atë kohë. Kështu, që për mua nuk ka kohë të caktuar se për të shkruhet më duhet vetëm kjo kohë dhe jo kohë tjetër pos asaj”.

Cili është çelësi i shkrimeve tuaja?
Nehat Jahiu: ”Tek unë zakonisht nuk ka vetëm një çelës. Me të vërtet po të them se në shkrimet e mia nuk ekziston vetëm një çelës, por ka shumë çelësa dhe varësisht momenteve dhe gjendjes ose ngjarjes unë e përdori atë çelës që duhet ta përdori për atë moment”.

Në poezitë e tua sikur ka më shumë motive patriotike, satirike?
Nehat Jahiu: ”Ju jeni një përcjellës i rregullt i krijimtarisë sime dhe shumë mirë e keni vërejtur se te poezitë e mia ka mjaft motive me karakter patriotik, por kjo nuk do të thotë se unë jam ndonjë patriot. Këtë ma mundësojnë dhe më motivojnë patriotët e vërtetë që unë me kënaqësi shpirtërore ta krijoj poezinë me motiv të kësaj natyre që edhe më pëlqen, sepse kur futem në shpirtin e kësaj forme të poezisë më bënë të jem shumë më i fortë dhe më dinjitoz, që të bëj diçka të mirë. I parashtroj vetes se si dikush ka flijuar veten nëpër burgje për patriotizëm, tjetri ka kap pushkën të luftoj për atdhe e liri, ai tjetri fal gjak e jetë për atdhetarizëm, atëherë, po e them se jam shumë më i guximshëm për të shkruar poezi me motive patriotike, sepse më japin shpirt atdhetarët e vërtetë”.

Anash nuk kanë mbetur as dashuria? Si e shikoni motivin e saj në letërsi dhe si duket jeni paksa më i mbyllur?
Nehat Jahiu: ”Hahaha sa më bëre të qeshi. Po si mund njeriu të jetoj pa dashuri. Si mund një krijues të mos i këndoj aq bukur dhe me shpirt dashurisë. Më thoni cili ishte ai poet apo shkrimtar edhe nga Rilindësit, që nuk i këndoi aq bukur të bukurës dhe të dashurës dashuri. Kështu që në këtë aspekt edhe unë nuk kam ndenjur anës dhe nuk më ka mbetur pa e prekur këtë ndjenjë shpirtërore nëpërmjet vargut të poezisë sime. Këtë motiv e shoh shumë real edhe pse vendi ku jetojmë dhe krijojmë në krijuesit këtu disi ende është me atë kohën e errët për ta shpreh dhe për të shpërthyer nga shpirti ajo që duhet shpërthyer për dashurinë e jo ta mbajmë në shpirt dhe ta mbyllim hermetikisht. Unë po ju them shumë sinqerisht se këtë e kam shpreh mjaftë në poezitë e mia në kohën e fundit dhe sidomos me poezitë e dy protagonistëve kryesor Zanës dhe Gurit, që ju them të drejtën këto poezi e kapën përfytu dhe e rrëmbyer shpirtërisht për ta lexuar dhe për ta dashur aq shumë këtë poezi dhe atë lexues të të gjitha moshave”.

Me këto botime në vende dhe të ndryshme dhe në gjuhë të tjera, a ndjeheni i vlerësuar?
Nehat Jahiu: ”Ju them të drejtën unë për këto gjëra nuk vuaj shumë dhe jam shumë modest, por kur të afrohet një mundësi e tillë duhet edhe të dish ta kapësh dhe ta shfrytëzosh për ta realizuar dhe unë këtë e bëra. Pos disa poezive që më janë përkthyer dhe botuar në disa antologji në gjuhë të huaja. Por, po ju them realisht kjo që më ndodhi brenda këtij viti që një libër i imi të përkthehet dhe të botohet nga gjuha shqipe në gjuhën rumune dhe në atë angleze nuk e mohoj fare të mos them se nuk e ndjeva veten të vlerësuar, sepse në të vërtetë isha i vlerësuar dhe u ndjeva i lumtur. Ajo që është më interesante ky libër “A vjen liria” është një libër me poezi përkushtimi për dëshmorët e kombit që ranë gjatë luftës së vitit 1998 nga Maqedonia në Kosovë dhe dëshmorëve të kombit nga të gjitha trojet tona që ranë dëshmor në vitin 2001 në Maqedoni. Përkthimi i parë nga gjuha shqipe është bërë në gjuhën rumanishte nga një përkthyese rumune. A e beson i se me çfarë zelli dhe dashuri ka punuar në këtë përkthim të këtij libri dhe se sa shpirtërisht ishte lidhur me dëshmorët e kombit shqiptarë. Kjo ishte zonja Emanoil Adrana, që aq bukur dhe ëmbël e flet gjuhën shqipe. Është për tu habitur, ndërsa nga rumanishtja në gjuhën angleze po ashtu e përktheu një përkthyese dhe një poete që e quajnë Patrica Lidia. I gjithë ky organizim i punës u bë në Bukuresht me ndihmën E Bashkësisë Kulturore Shqiptare të Bukureshtit nën udhëheqjen e poetit, studiuesit, përkthyesit dhe atdhetarit nga Shipkovica e Tetovës që jeton dhe vepron në Bukuresht, zotëri Baki Ymeri”.

Cili është mendimi juaj për kritikën letrare?
Nehat Jahiu: ”Mendimi im sa i përket kritikës letrare është se tani për tani nuk ka kritikë të mirëfilltë. Kujt si ti teket jep një vlerësim për në vepër të shtruar ose varet kush për kë shkruan. Unë për ty e ti për mua, por ka edhe përjashtime ku njerëzit e mirëfilltë të kësaj lëmie japin vlerësim real duke mos u bazuar fare në emër se i kujt është libri, por shpreh realitetin e vlerës se veprës së shkruar që edhe duhet të jetë kështu, por marrë në përgjithësi kritika nuk përcillet ne kontinuitet, por edhe çalon në shumë aspekte për tu shkruar e vërteta dhe e merituar për një libër të shkruar dhe për autorin e saj”.

Çka mendoni për letërsinë që krijohet sot?
Nehat Jahiu: ”Letërsia që shkruhet sot duket se është me bollëk dhe nuk mungon. Do të thotë se shkrime të shkruara ka dhe këto nuk mungojnë. Unë nuk jam kompetent ta them se si është letërsia që krijohet sot. Por, mendimi im është se çdokush nuk mund të jetë krijues dhe çdokush nuk mund të krijoj. Unë jam kundër asaj se kam para në xhep, dua të bëhem krijues, gjejmë një redaktor recensentë sa për të figuruar këto emra në libër sipas një procedure dhe turr e vrap tek shtëpia botuese ia numërojnë lekët e botojmë librin dhe gjithçka përfundoi. Se çfarë ka brenda kopertinave të këtij libri nuk është bë më interesante, sepse shumë pak lexohet dhe nga kjo nuk vërehet fare se krijuesi ka afruar vlera, sepse këto vlera i përcakton lexuesi dhe kritika letrare dhe këta të dyja sot mungojnë dhe është shumë lehtë për disa për të na u bë edhe me libër brenda natës dh për tu shpallur krijues brenda ditës, por nuk do të thotë se kjo vlen për të gjithë, sepse kemi krijues që na afrojnë vepre që krijohen me vlerë të mirëfilltë”.

Ju ka ndodhur ndonjëherë ta lini në gjysmë një vepër?
Nehat Jahiu: ”Se a më ka ndodhur ndonjëherë ta lë në gjysmë një vepër nuk më ka ndodhur asnjëherë, sepse jam shumë interesant në këmbëngulësinë time. Kur planifikoj diçka për të realizuar jam aq këmbëngulës dhe nuk është lehtë të heq dorë nga ajo që synoj të bëj dhe kështu mu për këtë shkak deri më tani nuk ë ka ndodhur një gjë e tillë”.

A keni ndonjë preferencë për ndonjë ndikim dhe ndonjë shkrimtar?
Nehat Jahiu: ”Nuk bie në ndikim të ndonjë shkrimtari, por nuk do të thotë se edhe nuk ndikon krijimtaria e e dikujt që ta mbështes deri diku atë ndikim të tij nëse ia vlen të mbështes. E njëjta vlen edhe për ndonjë preferencë, por kjo mund te jetë shumë e paktë ndonjëherë e në numrin e madh të rasteve nuk ekziston fare”.

Ai lexoni shkrimtarët tjerë?
Nehat Jahiu: ”Po lexoj shkrime dhe vepra të shkrimtarëve tjerë. Në shumë raste ata ( ato ) i lexoj kur publikojnë në revista letrare apo gazeta, por lexoj edhe libra të disa shkrimtarëve dhe te disa ndahem shumë i kënaqur me përmbajtjen e tyre kur është në pyetje që libri te jetë publicistikë, apo diçka tjetër në prozë. Nuk më mungon së lexuar shkrimtar të cilët shkruajnë poezi dhe ndahem shumë i kënaqur me vargun e një numri të madh të tyre”.

Sikur nuk keni ndryshuar asgjë nga stili i të shkruarit në poezi?
Nehat Jahiu: ”Këtë jo që e thoni ju i nderuar, por këtë e them edhe vetë, sepse është e vërtetë se nuk kam ndryshuar nga stili im, por as që kam tentuar të ndryshuar. Më pëlqen ky stil i imi dhe dua ta ruaj, por edhe kam lexuesit e mi që e pëlqejnë këtë stil të të shkruarit dhe unë edhe tek e fundit për ata shkruaj, kështu që kur i pëlqen lexuesit, më pëlqen mua, atëherë besoj se dua të e ruaj dhe të vazhdoj të shkruaj në atë stili, por edhe ta ruaj atë”.


Ju vini nga Likova e Kumanova, një vend i skajshëm por me motive gjithnjë aktuale. A mund të themi se kjo skajshmëri mund të jetë pjesë e motiveve të përgjithshme mbarëkombëtare e krijimtarisë suaj?
Nehat Jahiu: ”Është më se e vërtetë se unë vij nga fshati Orizare, komuna e Likovës, rrethina e Kumanovës që siç thoni edhe ju është një vend i skajshëm, por është shumë realitet se gjithnjë është e mbushur me motive aktuale. Me plot kuptimin e fjalës lirisht mund të themi se kjo skajshmëri jo që mund të jetë, por është pjesë e motiveve të përgjithshme mbarëkombëtare e krijimtarisë sime që këtë mund ta hetoj çdokush që ka lexuar dhe do të lexoj krijimtarinë time. Kjo është një e vërtetë dhe nuk mund të mohohet një realitet i tillë”.

Si është jeta e shkrimtarit në provincë?
Nehat Jahiu: ” Jeta e shkrimtarit në provincë nga njëra anë është e shkëlqyer, por nga njëra ana ka edhe të metat e saj. Shkrimtari në provincë shumë më i qetë është për të krijuar, inspirimin dhe frymëzimin e gjen shumë më lehtë, sepse këtë ia mundësojnë bukuritë natyrore, por nga ana tjetër shkrimtari në provincë është shumë më larg ngjarjeve kulturore që ndodhin në përditshmërinë tonë, sepse nuk mund t’i përcjellë në vazhdimësi manifestimet e ndryshme”.

Si është një ditë e zakonshme për juve?
Nehat Jahiu: ”Dikur një ditë e zakonshme për mua ka qenë krejtësisht ndryshe dhe e rregulluar me një orar, ndërsa sot është krejt ndryshe. Ngrihesha në mëngjes dhe bëhesha gati për të shkuar në punë. Gjysma e ditës e ndonjëherë edhe më tepër më kalonte në shkollë ku punoja. Pasi kthehesha prej punës drekoja dhe shtrihesha për të pushuar pak. Pastaj merrja lexoja diçka ose komunikoja në internet me ndonjë mike apo mik. Në mbrëmje përgatitesha për ditën e nesërme për në punë, kështu përafërsisht kaloja një ditë, kuptohet ndonjëherë me disa ndryshime. Tani një ditë e zakonshme e imja tërësisht është ndryshe. Tani dita ime është një ditë e një pensionisti me një orar jo të obligueshëm dhe të patjetërsueshëm, varësisht si dua mund ta organizoj këtë ditë, sepse tani varet vetëm prej meje se si dua ta organizoj për ta kaluar. Të lexoj, të shkruaj, të shikoj televizion, të futem në internet, të dal në kopsht, të luaj me mbesa e nipa, etj.”.

A ju shqetëson diçka në jetë?
Nehat Jahiu: ”Nuk mund të mos e them se nuk më shqetëson diçka në jetë e sidomos në këtë kohë të pakohë, siç e quaj unë. Sot mua më duket se shqetësimet janë shtuar në përgjithësi te njerëzit, kështu që edhe tek unë ka shumë shqetësime. Do të arrish diçka dhe ajo nuk të mundësohet. Donë të realizosh diçka ajo të pengohet. Do të shohësh tek vetvetja diçka që ti do ta shikosh edhe tek vetvetja edhe tek populli yt dikush ta ndalon. Do ta thuash fjalën e lirë dhe atë fjalë tënde ta zbatosh në vepër. Del dikush dhe ta pengon për ta thënë dhe për ta nxjerrë në shesh. Shumëçka që do ta bësh duhet ta pyesësh dikë dhe të marrësh leje prej tij e që unë as që dua të jem nën ndikimin e të tillëve dhe kështu ndodhë që të shqetësohem. Kur dikush do të më imponoj qe të bardhës t’i them e zezë, e të zezës të bardhë, unë nuk pranoj të mi imponoj ngjyrat askush. Ka shumë gjëra që më shqetësojnë dhe këtë e them shumë sinqerisht se unë nuk mund t’i përballoj dhe në raste të shumta shqetësohem, por për fat të mirë këto shqetësime i largoj duke i shpreh nëpërmjet shkrimeve të mia”.

A jeni i durueshëm në jetë?
Nehat Jahiu: ”Shumë jam i durueshëm, shumë bëjë kompromise për interesa njerëzore, kombëtare, shoqërore, por edhe shumë shpejt dal jashtë durueshmërisë dhe gjërat i them shumë hapur dhe konkret duke mos kursyer se nga vijnë dhe nga kush vijnë. Kur më bënë padrejtësi dhe kur donë të më imponosh diçka që nuk është e mirë për mua dhe shoqërinë, atëherë nuk mund të jem i durueshëm, përndryshe për komunikim me njerëz mirëkuptues besoj se ia arrij të jem më tepër se sa duhet të jem i durueshëm”.

A mund të na rrëfeni diçka apo ndonjë episod që nuk guxon ta thuash publikisht?
Nehat Jahiu: ”Nuk di sa do jetë modeste të them këtë, por besoj se edhe ti më njeh mirë i nderuar. Unë kam pasur episode, kam edhe sot, por për fat të mirë gjithnjë i kam thënë hapur publikisht, sepse ato nuk kanë rrezikuar dikë me asgjë, por vetëm kanë qenë fontanë dëshirash të dikujt dhe është dashur t’i realizoj unë, kështu pa një pa dy ato unë i kam refuzuar në mënyrë publike pa e futur mendjen fare te guximi, sepse ato episode nuk kanë qenë në interes timin personal, por kanë qenë në dëm të popullatës dhe në përkrahje të padrejtësisë dhe unë i kam refuzuar pa u hamend fare dhe ato i kam bë po e them edhe njëherë gjithnjë në mënyrë publike”.

Keni punuar edhe në arsim, çfarë do të thotë të punosh edhe në shkollë edhe të jesh shkrimtar?
Nehat Jahiu: ”Është më se e vërtetë se karriera ime gjatë tërë kësaj kohe deri në pension ka qenë në arsim, sepse ky ka qenë profesioni im të cilin e zgjodha që në rininë time. Kjo është një pyetje shumë interesante dhe meriton një përgjigje shumë të reale. Është shumë kënaqësi të punosh në arsim dhe njëherësh të jesh edhe shkrimtar. Ketë fat nuk e ka çdokush. Të punosh në një tempull të shenjtë siç është shkolla, a ka më kënaqësi më të madhe. Të punosh në shkollë dhe të mësosh dhe të edukosh gjeneratën e re a ka më kënaqësi dhe krenari. Të jesh shkrimtar në mesin e nxënësve nuk ka më kënaqësi dhe të gjitha këto bashkërisht për mua kanë në një histori të pashlyer në shpirtin tim. Lum ai që ka këtë fat të përjetoj një gjë të tillë siç e kam përjetuar unë”.

A dëgjoni muzikë shqiptare, çfarë zhanri?
Nehat Jahiu: ”A dëgjoj muzikë shqiptare? Po si nuk dëgjoj dhe me shumë ëndje kam dëgjuar që nga mosha ime rinore dhe e dëgjoj edhe sot. Sa i përket zhanreve gati i dëgjoj të gjitha, por ndonjërin më pak e ndonjërin më shumë. Ndonjëri më pak më prek në shpirt dhe m’i trazon ndjenjat kur e dëgjoj e ndonjëri zhanër më pak. Pra, me ëndje e kam dëgjuar dhe e dëgjoj zhanrin e muzikës popullore dhe asaj folklorike që me kënaqin shpirtin”.

Çfarë është familja për ju dhe sa jeni i lidhur me të?
Nehat Jahiu: ”Familja për mua është gjithçka. Është gjëja më e shtrenjtë për mua dhe me të jam i lidhur shumë ngusht, kështu që pa të shumë vështirë do e kisha për të jetuar e sidomos kur familja më është shtuar me mbesa e nipa dhe më duken sikur kam para vete një kopsht, ndër kopshtet më të bukur”.

ǒështë dashuria për poetin?
Nehat Jahiu: ”Po ku e gjete këtë pyetje i nderuar?! Kurrë unë nuk mund të jap përgjigje të saktë, sepse kurrë nuk kam dashuruar, pos kur jam martuar dhe e kam parë se çfarë qenka dashuria. Unë gjithnjë kam qenë i dashuruar si poet në poezi, ndërsa ndonjë dashuri tjetër si poet nuk kam përjetuar dhe nuk di se çfarë të them. Vetëm një gjë kam dëgjuar se poetët dashurojnë marrëzisht”.

A ka ndonjë ëndërr që nuk e ka realizuar poeti Nehat Jahiu?
Nehat Jahiu: ”Kam shumë ëndrra që nuk kam realizuar, por besoj se nuk mund të ketë njeri në botë që i ka realizuar të gjitha ëndrrat. Një numër prej tyre i kam realizuar, por shumë prej tyre më kanë mbetur pa i realizuar sot e kësaj dite, por nuk besoj se ka njeri në botë që të gjitha ëndrrat e veta i ka realizuar”.

Si krijues a ndjeheni ndonjëherë i qetë!
Nehat Jahiu: ”Shumë rrallë ndjehem i qetë si krijues, sepse për një shpirt poetik është shumë vështirë të ketë qetësi, sepse poetit i dhemb shpirti për gjithçka dhe për shumëçka, kështu që gjithnjë është në kërkim të qetësisë jo për vete, por për të tjerët”.

A jeni penduar ndonjëherë për ndonjë shkrim që keni botuar?
Nehat Jahiu: ”Asnjëherë nuk jam penduar për këso raste, sepse ato gjëra që kanë kaluar sado që të pendohesh më nuk rikthehen, por dua të jem shumë real se disa nga shkrimet që i kam shkruar sot e shoh se nuk është të shkruhen dhe më shqetësojnë pse i kam shkruar”.

Cili është mendimi juaj mendim keni për politikat që ndiqen për krijuesit shqiptarë?
Nehat Jahiu: ”Për politikat që ndiqen për krijuesit shqiptarë janë për mendimin tim janë askund. Askush nuk i ndjek fare dhe as që ju intereson se kush janë, ku janë, çfarë bëjnë, në çfarë kushte punojnë, në çfarë mënyre krijojnë. Kjo kategori njerëzish siç janë krijuesit letrarë duhet të ndiqen me vëmendje në çdo aspekt, të ju krijohen kushte për të krijuar dhe për të ju ndihmuar në çdo aspekt dhe për ti motivua për punë më të suksesshme, por për fat të keq krijuesit tjerë janë lënë margjinë dhe as që i intereson dikujt për punën dhe statusin e tyre të n jë krijuesi që nëpërmjet krijimtarisë së tyre ngrinin vlerat e kombit të që i takojnë”.

A keni rezerva ndaj politikës. Diç më konkrete?
Nehat Jahiu: ”Më herët nuk kam pas rezerva fare ndaj politikës, sepse për politikën dhe njerëzit që janë marrë me te ose më mirë të them ata që kanë përfaqësuar politikën më janë dukur tjerë njerëz. Më janë dukur se ata punojnë dhe veprojnë vetëm për kauzën kombëtare dhe për popull, por më vonë kuptova se paskam qenë gabim, sepse numri më i madh i tyre në emër të patriotizmit kishin mbushur xhepat e tyre dhe aspak nuk ju kishte interesuar, kombi, populli, atdheu. Tani jo që kam rezerva, por troç e shqip nuk kam besim aspak në politikë dhe tek poltikëbërësit me një përjashtim të vogël sa për të mos thënë fare tek asnjë. Nuk kam konkrete asgjë për të veçuar se nuk ka diçka një, dy, tre... për të dalluar, por gjithçka është mashtrim i kulluar që sot e kuptojnë edhe njerëzit më të thjeshte të popullit e lere me unë. Tani çdo gjë është konkrete sepse ka dalë në sipërfaqe dhe mund ta shohim jo nga toka, por nga qielli.”

A mund të na thoni sa e vlerëson lexuesi shqiptar krijimtarinë vendore?
Nehat Jahiu: ”E thënë aspak do jetë ndoshta tepër, por lirisht mund të them dhe atë me përgjegjësinë më të madhe se lexuesi shqiptar për fat të keq e vlerëson shumë pak dhe as që interesohet për te. Kjo është për keqardhje, por ajo që është duhet ta themi dhe mos ti bëjmë qejf vetes për një gjë të tillë e cila është shumë brengosësh”.

Çfarë e bën të suksesshme një shkrimtar?
Nehat Jahiu: ”Një shkrimtar të suksesshëm e bënë vepra e tij. Nëse një shkrimtar ka vlera të mirëfillta, atëherë kuptohet se ai është i suksesshëm, por është edhe diçka tjetër që mua më duket dhe kjo është më se e vërtetë se në shumë raste në mënyra të ndryshme të suksesshëm një shkrimtar e bëjnë të pasuksesshmin duke e ngritur dhe duke e vlerësuar atë që nuk meriton të vlerësohet si i suksesshëm, sepse nuk është, por edhe kjo po ndodhë dhe atë nuk po them në mënyrë paushalle, por me argumente po i shohim këto anomali në ndarje të çmimeve dhe në shumëçka tjetër duke e ngritur jovlerën”.

Gjatë veprimtarisë suaj si shkrimtar kur jeni ndjerë më së miri dhe kur ndonjëherë jo mirë?
Nehat Jahiu: ”Unë si shkrimtar gjatë veprimtarisë sime e kam ndjerë vetën kur jam vlerësuar ashtu siç jam. Atëherë, kur më është thënë shumë realisht dhe sinqerisht në sy se jam ai që jam. Atëherë kur jam vlerësuar sipas asaj që më ka takuar të vlerësohem, ndërsa jo mirë jam ndjerë jo mirë atëherë kur dikush më ka nënçmuar vlerën time dhe ma nxjerr gomarin para meje. Këtë po e them që të jem i realtë në pyetjen tuaj, sepse asnjëherë nuk kam pritur dhe nuk kam dashur të më ngrit dikush të më ngrit duke më dhënë ose vlerësuar me një mirënjohje ose ndonjë çmim tjetër, sepse jo vetëm veprimtarinë time letrare mua ma ka dhënë gjithnjë lexuesi dhe kjo është kënaqësia më e madhe e imja deri ë tani”.

Cilin libër do të veçonit nga veprimtaria juaj?
Nehat Jahiu: ”Kjo pyetje më është bërë çdoherë dhe asnjëherë nuk ka dhënë përgjigje. Unë veçoj ndonjë libër nga veprimtaria ime sikur prindërit që veçojnë ndonjërin nga fëmijët e tyre, por asnjëherë nuk e thonë se ky është fëmija im më i veçuar, kështu që në këtë rast edhe unë nuk do vë gishtin tek ndonjë libër për të veçuar, kështu që kjo le të mbetet një sekret që dua ta di vetëm unë”.

Sa çmoheni dhe vlerësoheni si shkrimtar?
Nehat Jahiu: ”Dua ta them atë që duhet thënë. Dikur kur isha me më pak libra të botuara dhe më i panjohur në opinionin shqiptar në përgjithësi, pos në lokalitet ku jetoja isha shumë më i vlerësuar. Sa herë që kaloja rrugëve të qytetit, të fshatit. Kur shkoja në ndonjë shkollë apo diku tjetër dëgjoja bisedat duke thënë ja ky është poeti Nehat Jahiu dhe kishin dëshirë të afroheshin pranë meje të njiheshim dhe të bisedonim. Me këtë dua të them se kisha mjaftë vlerë, ndërsa sot as që të përshëndet dikush dhe as që do të ndjej se ky është shkrimtar do të thotë vlerësimi është në zero. Sot vlerësohet antivlera, antinjerëzorja etj që ka xhepin të mbushur me lekë. Kjo është realitet dhe këtij realiteti të mjerë nuk mund ti ikim . Dhashë Zoti që të ndryshoj kjo gjendje aktuale që është, por jam shumë pesimist se do ndryshoj”.

A mund të jetohet nga krijimtaria letrare?
Nehat Jahiu: ”Me këtë pyetje e bënë të qeshi pa mu qeshë kur ju vet e dini se si është gjendja e një krijuesi sot, por si duket me qëllim më ngacmuat. Unë do të kisha thënë po nuk ke të ardhura materiale nga ndonjë burim tjetër jeta e një krijuesi letrar do jetë vuajtje për një kafshatë buke”.

A ka reklamë sa duhet libri në mesin tonë?
Nehat Jahiu: ”Ka reklamë aty ku nuk duhet të ketë. Ka reklamë në gjëra që degjenerojnë rininë. Ka reklamë në gjërat më të shëmtuara. Ka reklamë në..., ndërsa për reklamë të librit as që mendohet e lere më t’i bëhet reklamë. Librin duhet ta reklamojnë njerëzit që udhëheqin me institucion e, por këtyre nuk ju intereson reklama e librit. Ju intereson reklama e tenderëve dhe darkave më të lezetshme në cilët lokale më të bukura do t’i hanë, sepse prej librit nuk ka përfitime dhe prej autorit nuk ka përqindje ose siç po i quajnë provizion. Të them të drejtën edhe mediat shumë pak i vënë rëndësi reklamimit të librit”.

Ju keni shkruar edhe zhanre të tjera letrare, cili ju fle më shumë në shpirt?
Nehat Jahiu: ”Kam provuar, por edhe kam shkruar në shumë zhanre duke botuar edhe disa vepra të zhanreve të ndryshme, por mbi të gjitha në shpirt më fle poezia, sepse fillimet e para të miat në krijimtarinë time letrare i kam filluar me poezinë”.

Keni menduar ta braktisni ndonjëherë letërsinë?
Nehat Jahiu: ”Asnjëherë edhe pse kam pas shtypje jo me dhunë, por në mënyra tjera që duhet ta lë se nuk sjell krijimtaria as një përfitim material, por vetëm që të varfëron, por unë kurrë nuk kam menduar të braktisi ndonjëherë letërsinë edhe pse gjithnjë kam qenë i vetëdijshëm se përfitime materiale kurrë asnjë lekë nuk kam pasur, por gjithnjë kam dashur ta ushqej shpirtin tim me letërsi dhe jo më gjëra të fëlliqura”.

A do të ndaleni ndonjëherë si krijues?
Nehat Jahiu: ”Atëherë kur të më ndalet shpirti dhe kur të kaloj nga kjo botë në botën tjetër”.

Kujt ia dedikoni suksesin tuaj?
Nehat Jahiu: ”Suksesin tim ia dedikoj vetes sime mbi të gjitha, sepse me përkushtim ju kam përkushtuar dhe asnjëherë nuk jam ndalë nga krijimtaria. Nxënësve të mi të cilët shumë herë më kanë motivuar të inspirohem dhe mua aty ta marrë edhe frymëzimin. Vendlindjes sime ku kam lindur dhe bukurive natyrore që ngërthen në vete. Mikeve dhe miqve krijues me të cilët jam shoqëruar dhe kem i bashkëpunuar në aspekt. Njerëzve të penës dhe të pushkës që kanë flijuar gjakun dhe jetën e tyre për liri e për atdhe”.

Si duket shkrimtari përballë lexuesve?
Nehat Jahiu: ”Nuk e di se si duket shkrimtari për ballë lexuesve. Këtë më mirë e dinë lexuesit”.

Çfarë ka mbete pa thënë nga kjo intervistë?
Nehat Jahiu: ”Shumëçka ka mbetur pa thënë nga kjo intervistë që duhet thëne e nuk është thënë, por po të them me sinqeritetin më të madh timin se më ke shtrydhur kuptohet për të mirë me një mori pyetjesh, por gjithë këtë e ke bërë në respekt timin si një veteran i arsimit dhe i krijimtarisë letrare dhe nuk më mbetet asgjë tjetër më tepër të ju them në këtë rast dhe të shtoja diç më tepër. Pos të falënderohem nga thellësia e zemrës për kontributin tuaj që bërët në këtë intervistë duke më prezantuar mua si arsimtar dhe krijues, por nëpërmjet meje e vure në pah arsimin dhe letërsinë. Kuptohet ishte kënaqësi e imja të më intervistoj një gazetar, një njeri i arsimit, dhe një shpirtit i krijuesit letrar. Edhe njëherë të falënderohem përzemërsisht! Respekt!”.

Kush është Nehat Jahiu?
Nehat Jahiu u lind më 10 tetor të vitit 1951 në fshatin Orizare të komunës së Likovës. Ka tw mbaruar shkollën e Lartë Pedagogjike (Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe), në Gjakovë. Punoi në shkollën fillore “Faik Konica” të fshatit Sllupçan. Me shkrime ka filluar të merret që nga bankat e shkollës fillore. Që nga fillimi i krijimtarisë së tij e deri në ditët e sotme, ka shkruar kryesisht poezi për fëmi¬jë, por edhe për të rritur. Bashkëpunon me shumë revista, gazeta në mbarë trojet tona dhe në diasporën shqiptare. Është ndër themeluesit e Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” në Kumanovë dhe anëtar i Kryesisë, themelues dhe anëtar i redaksisë së Revistës “Doruntina”. Është prezantuar në shumë antologji në trojet tona dhe në diasporën shqiptare: Deri tani ka botuar këto vepra:
1.“Në sytë e tu”- 1982
2. “Ura prej zemrave”- 1985
3. “Fluturimi i pëllumbave”- 1990
4.“Të pret malli që na treti”- 1993
5.“Hidhe vallën, Laro”! - 1994
6.“Kukuvajka”-1995
7.“Hape derën, shkolla ime!”- 1995
8. “Epitaf lirie”- 2000
9. “Rrënjët i ke në këtë tokën ilire” - 2005
10.“Huti mbi çati”- 2005
11.“Brez pas brezi në luftë për shkolla shqipe”- 2008
12. “Lulëkuqe mbi varre” - 2010
13.“Orizarja ndër shekuj”- 2010
14. “Rrugës së drejtë”- 2011
15.“Zana dhe Guri” - 2011
16.“Poemë për mikun Sadulla Zendel- Daja” - 2012
17. “Te ura e gjyshes”- 2012
18. “Rreze në dritare”- 2013
19. “Krahët e fluturës”- 2013
20.“Hëna u bë nuse” - 2013
21. “Kënga e zogjve”- 2013
22. “ Gjaku im të qoftë falë” – 2014
23. “ A vjen liria “ – 2016
24. “ Mbresa njerëzore për një njeri të veçantë”- 2016
25. “ Biri i shqiptarisë”- 2016
26. “ Zorite libertatii”- “ Agimet e lirisë” – pëkthim në gjuhën rumue- 2016-05-21
27. “ Të qeshën e të bënë nuse” 2016
28. “ Is fredom comin g”- “ A vjen liria” përkthim an glisht 2016

Intervistoi: S. Sh
Shtuar më 31/05/2016, ora 14:36

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori