Integrimi, Bullgaria kundër hapjes së negociatave
Pas Greqisë edhe Bullgaria pengon procesin integrues të Maqedonisë. Gazeta bullgare "Trud" i referohet takimit që komisioneri për zgjerim, Stefan Fule ka pasur me shefin e diplomacisë bullgare Kristian Vigenin, me të cilin është diskutuar mbi rrjedhën e negociatave mes Bullgarisë dhe Maqedonisë për marrëveshjen për fqinjësi të mirë dhe për pozitën e Sofjes në lidhje me hapjen e negociatave.

Mesa duket, pozita e Sofjes lidhur me Maqedoninë mbetet e pandryshuar-Bullgaria nuk dakordohet që Shkupi të marrë datë për fillim të negociatave me BE-në për sa kohë nuk nënshkruhet marrëveshje bilaterale për fqinjësi të mirë. Gazeta thekson edhe se raundi i fundit i negociatave midis Bullgarisë dhe Maqedonisë është mbajtur më 17 shtator dhe është rënë dakord që të dyja palët të punojnë në një zgjidhje të përbashkët të pranueshme në lidhje të çështjeve kontestuese.

Komisioni Evropian duhet të shpallë më 16 tetor raportprogresin për Maqedoninë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Që prej vitit 2009, Komisioni rekomandon hapjen e negociatave, por vendet anëtare nuk arrijnë konsensusin e nevojshëm për shkak të kundërshtimit të Greqisë e cila kundërshton për shkak të kontestit për emrin.
Shtuar më 02/10/2013, ora 14:35

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori