Instituti për Demokraci: Mungon debati cilësor në Parlamentin e Maqedonisë
Pëlqej
Deputetët e Maqedonisë nuk kanë sens për të dëgjuar sugjerimet e oponentëve të tyre politikë, ndërkohë që në foltore dalin me fjalime të përgatitura paraprakisht, thuhet në konstatimet e hulumtimit të Institutit për Demokraci, i cili ka monitoruar cilësinë e debatit të Parlamentit të Maqedonisë nga 19 qershori, kur edhe u zgjodh qeveria e re, e deri më 3 gusht, kur deputetët morën pushimet verore.

Jane Dimevski, koordinator i projektit "Parlamenti nën thjerrëz", thotë se gjatë monitorimit të 318 fjalimeve të deputetëve në kuadër të 20 seancave të Kuvendit, ka dalë në pah se mungojnë replikat dhe kundër-replikat, të cilat mundësojnë debat cilësor rreth zgjidhjeve ligjore për çështje të caktuara.

"Pa dashur të hyj në cilësinë e argumenteve të shprehura nga ana e deputetëve, pjesa më e madhe e diskutimit të tyre gjatë tre muajve të fundit ka të bëjë me fjalime individuale të deputetëve, përderisa në përqindje më të vogël në foltoren e Parlamentit dëgjohen replika dhe kundër-replika. E gjithë kjo flet për debat të varfër në Parlament", thotë Dimevski për Radio Evropa e Lirë.

Ekspertët vlerësojnë se dështimi apo suksesi i proceseve shoqërore në masë të konsiderueshme është rezultat apo produkt i debateve.

Sipas tyre, mungesa një debati cilësor në Parlamentin e Maqedonisë, për bazë ka më shumë faktorë, por si më të rëndësishëm ata fokusojnë mungesën e deputetëve të opozitës, përkatësisht mendimit kritik, i cili duhet të iniciohet nga opozita.

"Përsa kohë derisa në njërën anë nuk kthehet opozita në Parlament dhe në anën tjetër deputetët nuk pavarësohen nga strukturat partiake, përkatësisht të fillojnë qëndrimet e tyre individuale, është e kuptueshme se nuk mund të presim debatParlament, ngase debati nënkupton dy palë të cilat shfaqin ide të ndryshme. Përderisa në Parlament kemi vetëm partitë e koalicionit qeverisës, është e kuptueshme se nuk mund të presim debat cilësor", shprehet Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë.

Sipas Musliut modeli zgjedhor me lista të mbyllura është një nga arsyet që deputetët janë më lojalë ndaj liderit të partisë sesa interesave të qytetarëve që i kanë zgjedhur.

"Për t`u rritur pavarësia e deputetëve nga partitë politike dhe afrimi i tyre me qytetarët, duhet të zgjidhen modele zgjedhore, të cilat do të prodhonin nivel më të lartë kualitativ edhe të strukturës së deputetëve, po kuptohet me këtë edhe debatit, i cili zhvillohet në Parlament", vijon Musliu


Edhe gjatë muajve të ardhshëm, Instituti për Demokraci do të monitorojë punën e Parlamentit të Maqedonisë me atë që në raportin e ardhshëm do të përfshihet edhe periudha kur ndodhi incidenti i 26 gushtit, konflikti fizik mes deputetëve shqiptarë nga Partia Demokratike Shqiptare dhe Bashkimi Demokratik për Integrim. /albeu.com/
Shtuar më 13/09/2014, ora 11:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori