Incidenti në Tetovë, zbardhen detaje të tjera nga ngjarja
Një person ka humbur jetën, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur në një përleshje të armatosur që ka ndodhur 45 minuta para mesnate në Reçicë të Vogël të Tetovës.

Sipas MPB-së, në incidentin kanë qenë të përfshirë pesë persona nga Tetova.

“Në rrugën “188” në Reçicë të Vogël ka pasur një mosmarrëveshje verbale në mes H.M (37) i cili ka qenë me shokët e tij M.H (34) dhe H.K (39) nga njëra anë, dhe A.B (33) dhe B.M (30) nga ana tjetër.

Mosmarrëveshja është përshkallëzuar në përleshje fizike dhe në një moment A.B nga çanta e tij ka nxjerrë pistoletë automatike e llojit ‘skorpion’ dhe ka filluar të gjuajë.

Gjatë të shtënave H.M është goditur në pjesën e kokës dhe trupit dhe ka humbur jetën në vendin e ngjarjes. Dy shokët e tij janë qëlluar në pjesën e këmbëve.

Sulmuesit janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes”, thuhet në komunikatën e Sektorit të Punëve të Brendshme-Tetovë.

Prokuroria Themelore Publike në Tetovë sot ka informuar se po merren të gjitha masat për zbardhjen e arsyeve të incidentit.

“Janë lëshuar urdhra për kërkim të personave të dyshuar, si dhe urdhra për grumbullim të gjurmëve dhe fakteve për zbardhjen e rastit dhe konstatimin e fakteve për lëndën”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë Themelore Publike. /albeu.com/
Shtuar më 03/09/2016, ora 20:19

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori