Imeri: Detyruam 65 mijë maqedonas të dëgjojnë shqip
"Kemi detyruar mbi 60 mijë maqedonas të dëgjojnë shqip. Ky është akt patriotik". Kështu e komenton ngjarjen e pakëndshme në manifestimin e mbrëmshëm për Ditën e Pavarësisë, këngëtari Mustafa Imeri, i cili performoi me ftesë zyrtare të Qeverisë sëbashku me këngëtaren Adelina Tahiri dhe Grupin "Shkupi".

Imeri nuk pajtohet me kritikat nëpër rrjetet sociale për pjesëmarrjen e tij dhe të këngëtarëve të tjerë shqiptarë në këtë spektakël muzikor, pasi sipas tij, të kënduarit shqip përpara publikut maqedonas nuk është për t’u kritikuar.

"Për mua pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë manifestim të 21 vjetorit të Pavarësisë së Maqedonisë ishte një akt patriotik, pasi që ne para një publiku prej 65.000 maqedonasve kënduan këngët në gjuhën shqipe, në një farë mënyre I detyruam maqedonasit të dëgjojnë këngët e bukura shqipe që aspak s’i dëshirojnë. Unë jam artist dhe kam bërë punën në mënyrë profesionale, ku dhe kam lënë pjesëmarrjen time për të kënduar në një dasmë, vetëm e vetëm të këndoj shqip para 65.000 maqedonasve. Mua më habit fakti kur ndonjë artist shqiptar këndon maqedonisht nëpër koncerte dhe manifestime të tjera, dhe të njëjtit nuk merren në përgjegjësi as nga mediumet as nga askush", deklaroi Imeri për Zhurnal. /albeu.com/
Ai thotë gjithashtu se janë konsultuar paraprakisht për pjesëmarrjen në këtë koncert edhe me partinë në pushtet, BDI, ngaqë siç nënvizon, “ftesa për pjesëmarrje na u bë me shpresa se nuk do ta pranonim”.
“Në konsultim me partinë shqiptare në pushtet, vendosëm që të dëshmojmë vlerat tona artistike shqiptare edhe para një publiku përplot maqedonas”, thotë Imeri.
Shtuar më 09/09/2012, ora 13:44

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori