I riu nga Maqedonia e Veriut tregon tmerrin në Beirut: Me fat që u vonova për të shëtitur në qytet
Në Beirut të Libanit, ka dhe qytetarë nga Maqedonia e Veriut. Dushko Ristovski është njëri prej tyre dhe ka folur për fakulteti.mk tmerrin e përjetuar në momentet e shpërthimit famëkeq.

“Ishte ora 18:15 dhe isha duke u bërë gati për të dalë në qytet. Papritmas u dëgjua një zhurmë e madhe. U fshehëm së bashku me fëmijët pas derës së hyrjes, pasi e mendova si vend më të sigurtë, duke menduar se ndodhi tërmet. Në atë moment nuk mendova asgjë, vetëm i përqafova dhe pritja të ndalonte” tha mes tjerash Ristovski.

“Disa sekonda më vonë u dëgjua edhe një zë pesë herë më i fuqishëm, që i bëri të gjithë dritaret të plasnin dhe copat e qelqit të shpërndahen nëpër gjithë dhomën. Edhe pse dritaret ishin me mbrojtëse hekuri, nuk e penguan shkatërrimin e plotë. Nga kjo e kuptova se është diçka më e fuqishme se tërmet”

“Jashtë ishte kaos dhe gjithandej kishte rrëmujë. Nuk kishim valë në telefon e as internet për të komunikuar për ndihmë. Askush nuk e dinte se çka ishte duke ndodhur.” ka vazhduar Ristovski.

Ristovski thotë se nga banesa kishte planifikuar të dilte më herët dhe të shkonte në një vend shumë afër fabrikës që shpërtheu në Bejrut por diçka e vonoi në banesë dhe nuk ishte në afërsi të fabrikës në momentin e shpërthimit.

Nga kjo ngjarje në Bejrut kanë humbur jetën më shumë se 120 persona dhe janë lënduar mijëra të tjerë.

Autoritetet libaneze kanë nisur hetimet rreth ngjarjes tragjike teksa thuhet se disa kemikate të konfiskuara kanë shkaktuar shpërthimin në Bejrut. Sipas Ristovskit, autoritetet vendore kanë dështuar me aksionin e shpëtimit dhe organizimin për të ndihmuar qytetarët e lënduar pas shpërthimit.
Shtuar më 06/08/2020, ora 14:06

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori