Kanabisi i nderë në tharëse rrobash, dalin pamjet nga “shtëpia e barit” në Astir (VIDEO)

Policia ditën e djeshme ka finalizuar një operacion të quajtur “Aroma”, dhe si rezultat janë vënë në pranga dy shtetas për kultivim të bimëve narkotike. A. A., 28 vjeç dhe Xh. I., 54 vjeçe, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin përshtatur ambientin e një banese, me aparatura që shërbejnë për tharjen dhe prodhimin e lëndëve narkotike, të cilën e paketonin dhe e bënin gati për shpërndarje me doza për përdorues të ndryshëm.

Në vijim të operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit H. T., 50 vjeç, i cili kishte detyrë të ruante ambientin e jashtëm të banesës dhe të raportonte te dy shtetasit e tjerë në rast se shikonte lëvizjeve të dyshimta.

Gjatë kontrollit të banesës u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 27 kg lëndë e dyshuar kanabis, një armë zjarri pistoletë, municion luftarak, aparatura që shërbejnë për tharjen dhe prodhimin e lëndës narkotike, doza me lëndë të dyshuar kokainë, një peshore elektronike dhe një automjet.

Në videon më poshtë mund të shikoni pamjet nga shtëpia ku kultivohej kanabisi.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”./albeu.com


Shtuar 8.10.2021 20:41

Tags: ,