Monika Kryemadhi thirret në SPAK

Ish-kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi është thirrur në Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Kryemadhi pritet të merret me pyetje në lidhje me kallëzimet që ka bërë për inceneratorin e Elbasanit. Përveç kësaj, ajo pritet që të dorëzojë prova të reja në lidhje me këtë aferë.

Kujtojmë se Kryemadhi është një nga politikanet që ka denoncuar vazhdimisht aferën e inceneratorëve dhe gjithmonë është shprehur e gatshme për të dëshmuar.

“Jam në dispozicion të çdo institucioni, për të dëshmuar me fakte, me prova, me zë e me figurë, të vërtetën e kësaj afere”, ka thënë dikur në një nga deklaratat e saj publike, Kryemadhi.

Ish-kryetarja e LSI-së (tashmë e quajtur Partia e Lirisë) përveç denoncimeve ka dorëzuar dhe prova në SPAK dhe ka shënjestruar Ëngjëll Agaçin, si ndër aktorët kryesore që duhet të arrestohet nga SPAK për inceneratorin e Elbasanit.

“Sekretari i Përgjithshëm i kryeministrit Ëngjëll Agaçi është një nga aktorët kryesor në aferën e inceneratorit të Elbasanit. Agaçi, megjithëse haset me refuzimin e Agjencisë së Prokurimit Publik për procedurën për inceneratorin e Elbasanit me vetëdije të plotë shkel ligjin. Ligji, e përcakton qartë që Sekretari i Përgjithshëm i kryeministrit është përgjegjës për hartimin e rendit të ditës së mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Duke shfrytëzuar këtë kompetencë, Ëngjëll Agaçi pasi është në dijeni nga APP e cila kundërshton procedurën e ndjekur ‘Negocim pa shpallje’ e fut në rendin e ditës së Këshillit të Ministrave, jo lidhjen e kontratës por faturën financiare të kontratës. Pra, miratohet fatura financiare pa u vënë në dijeni të kushteve financiare të saj. Për këtë shkelje, jo vetëm në inceneratorin e Elbasanit por dhe atë të Tiranës Ëngjëll Agaçi duhet të ishte para drejtësisë”, ka shkruar më herët në Facebook, Kryemadhi./albeu.com


Shtuar 27.10.2022 09:33