Hosni Mubarak, pasuri edhe në Maqedoni?
Prokuroria e Egjiptit ka kërkuar verifikimin e pronave dhe pasurive të mundshme, të regjistruar në Maqedoni në emër të 47 ish-zyrtarëve dhe familjarëve të ish-diktatorit të Egjiptit të arrestuar tashmë, Hosni Mubarak.

Nga Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë konfirmojnë se një letër e tillë ka arritur në këtë dikaster para disa muajve. "Nga Egjipti ka ardhur një kërkesë e tillë dhe ne e kemi dërguar atë në institucionet përkatëse", deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Drejtësisë Eliriana Zylbehari, raporton "Lajm".

Verifikimin e pronave të mundshme në Maqedoni të 47 ish zyrtarëve dhe familjarëve të Mubarakut duhet ta bëjë prokuroria e Maqedonisë. Këta persona po hetohen në Egjipt për akuza të ndryshme, si "korrupsion", "vjedhje të pasurisë shtetërore", "pastrim parash" "evazion fiskal" etj.

Dyshohet që këta 47 persona, me anë të shpërdorimit të detyrës apo posteve kanë përvetësuar gjatë periudhës 30 vjeçare, konkretisht 1982-2010, të sundimit të Mubarakut rreth 185 miliardë dollarë amerikanë. Për llogari të këtyre hetimeve, sipas prokurorisë është kërkuar nga Maqedonia që të verifikohen të gjitha pronat, pasuritë, llogaritë bankare apo ortakëritë që këta të dyshuar mund të kenë në Maqedoni. Nëse identifikohet ndonjë pasuri në emër të tyre, prokuroria e Egjiptit ka kërkuar sekuestrimin e tyre për llogari të qeverisë së Kajros.

E njëjta kërkesë i është dërguar edhe Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë, të cilës i kërkohet verifikimi i pasurive në Shqipëri që mund të kenë lidhje me 47 të akuzuarit. /albeu.com/
Shtuar më 31/10/2012, ora 14:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori