Steka presidenciale

Nga Edi Oga

Ndërkohë që çmimet nuk ndalen së rrituri, “kinemaja” që pushteti i servir publikut ka ndryshuar film. “President nga populli” quhet komedia më e re, ku populli nuk është thjesht spektator; në këtë film ai e ndjen veten aktor.

Mbase jo aktor kryesor, sepse ndoshta as kësaj radhe ai vetë mund të mos zgjidhet president, ama ka mundësi dhe aftësi të propozojë e të mbështesë me argumente “shkencore” kandidatin më të mirë!

Si rezultat i këtij procesi që mbështetet vetëm në delirin pranveror të një populli të tërë, po shtohet lista e kandidatëve të vetëshpallur; profesorë me shqipe të vajtueshme, pseudo-akademikë me intelekt të limituar dhe autoreferencialë, politikanë të dështuar, profesionistë të paplotësuar, persona me të meta mendore, etj. Nuk e kuptoj pse kësaj radhe tendenca është për poshtë. Mos vallë Presidenti në ikje e ka ulur kaq shumë stekën?!

Zgjedhja e Presidentit nga populli akoma më duket një ide e mirë, por kandidatët kurrsesi nuk mund të propozohen në këtë mënyrë!

Gjithsesi, filmi po ecën mirë. Numri i ndjekësve po rritet. Bashkë me të, rriten edhe çmimet!