Hoda: Ahmeti, jo bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete serbe
Ali Ahmeti, nuk ka qenë dhe nuk është bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete. Kështu vlerëson për Alsat-M përfaqësuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Maqedoni, Besim Hoda. Sipas tij, njeriu i cili ishte organizatori kyç i një kryengritje të suksesshme në vitin 2001, njeriu që dha një kontribut të jashtëzakonshëm në luftën e Kosovës, në asnjë mënyrë nuk mund të jetë bashkëpunëtorë i shërbimeve sekrete aq më shumë të atyre serbe. Hoda, thekson se kjo është një lojë e fëlliqur, pasojat e së cilës do të bien mbi popullatën e rëndomtë.

“Unë personalisht nuk dua të dyshoj dhe nuk besoj se Ali Ahmeti mund të jetë një bashkëpunëtorë i hershëm i policisë ose i shërbimeve të sigurimit. Absolutisht se shqiptarët do të kishin pësuar dhe dhimbja e një organizimit aq të madh të shqiptarëve duke u nisur nga ajo se Ali Ahmeti ka qenë një nga organizatorët edhe të luftës së Kosovës por edhe bartës i proceseve, njeriu kyç, njeriu numër një i luftës në Maqedoni, proces i cili për gjithë ushtarët e UÇK-së dhe sakrificave që u dhanë, është procesi më mirë i organizuar dhe është procesi kur shqiptarët me një organizim arrijnë ta mposhtin palën tjetër”, deklaroi Besim Hoda, përfaqësues i OVL-UÇK, Maqedoni.

Hoda, gisht në këtë proces sheh edhe tek qeveria aktuale dhe kryeministri Gruevski, i cili sipas tij mund të jetë iniciatori i këtyre problemeve.
“Është zgjedhur koha dhe momenti më i keq për t’u bërë një gjë e tillë. Këto përçarje që ndodhin mes subjekteve politike, kjo është fund i një kacafytje të tillë ku dihet që uji do të shkoj në mulli të Gruevskit, konkretisht, i cili padyshim se është iniciator i gjithë këtyre problemeve por edhe i dosjeve”, u shpreh Besim Hoda, Përfaqësues i OVL-UÇK, Maqedoni.

Ndryshe rreth procesit të lustrimit dhe ‘Dosjeve’ ka reaguar edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, (OVL-UÇK), duke i cilësuar ngjarjet e fundit në Maqedoni si tendencioze dhe të orientuara kundër shqiptarëve në përgjithësi. Kjo organizatë u ka bërë thirrje shqiptarëve në Maqedoni, që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos merren me trillime të tilla, “sepse çdo gjë që nxit përçarjen dhe vëllavrasjen, shkon në dobi të armiqve tanë”, thuhet në reagimin OVL-UÇK-së së Kosovës. (Alsat-m)
Shtuar më 30/10/2010, ora 17:32

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori