I doli emri për stolin e Kosovës, reagon legjenda e Baselit

Edhe një emër i madh i futbollit është shtuar në listën e kandidatëve potencialë për të marrë drejtimin e Përfaqësueses së Kosovës. Aktualisht, Kosova është pa selektor, pasi Federata e Futbollit të Kosovës të mërkurën ndau rrugët me trajnerin zviceran, Bernard Challandes.

Pikërisht nga Zvicra është kandidati tjetër për postin e selektorit të “Dardanëve”. Por, kandidati i ri është emër dukshëm më i madh i futbollit se që është Challandes.

Bëhet fjalë për Alexander Frei, ikonën e futbollit helvetik. 42-vjeçari është nga Baseli, ndërsa ka bërë emër si sulmues. Ka luajtur për Baselin, Thunin, Luzernin e Servetten në fazë të hershme të karrierës. Prej vitit 2003 e deri në vitin 2006 luajti në Rennes të Francës. Shënoi 47 gola në 100 paraqitje. Për tre vjet ishte te gjiganti gjerman i futbollit, Borussia Dortmund. Në 74 paraqitje realizoi 34 gola. Ndërsa prej vitit 2009 deri në vitin 2013 ishte te Baseli. U shqua si golashënues me 72 gola në 103 paraqitje. Karrierën menaxhuese e nisi te Luzerni, ku ishte drejtor sportiv. Më pas punoi te të rinjtë e Baselit, ndërsa në vitin 2018 ishte trajner i përkohshëm i Baselit. Prej vitit të kaluar udhëheq Wilin, skuadër kjo e kategorisë së dytë helvetike.

Është mediumi i fuqishëm zviceran, “Blick”, që ka dhënë lajmin se Frei është kandidat për postin e selektorit të Kosovës. Por Frei në një deklarim të shkurtër për KOHËN, të premten mbrëma, ka lënë të kuptohet se është i interesuar për pozitën e përzgjedhësit. Ai ka vlerësuar se Kosova ka shumë potencial, duke dhënë shenjë që e sheh veten në krye të “Dardanëve”.

“Ka shumë potencial në skuadër”, ka thënë Frei për KOHËN. “Nuk kam pasur kontakt me Federatën. Por ka shumë potencial”, ka përsëritur Frei.

Frei për Zvicrën ka luajtur 84 ndeshje dhe ka shënuar 42 gola. Për kohë të gjatë ka qenë kapiten i përfaqësueses. Është bindshëm golashënuesi më i mirë i Zvicrës. Kubilay Turkyilmaz dhe Max Abegglen kanë nga 34 gola. Prej lojtarëve aktivë më së shumti gola ka Xherdan Shaqiri – 26.

“Ata (lojtarët e Kosovës v.j) janë të talentuar dhe me potencial. Por nuk kam pasur kontakt me askënd”, thotë Frei.

Ai në përfaqësuese ka luajtur me Valon Behramin, Blerim Xhemailin, por edhe me Milaim Ramën e për pak kohë me Xherdan Shaqirin. Me Shaqirin e Xhakën ka luajtur te Baseli. Së bashku me Shaqirin është paraqitur në plot 108 ndeshje, ndërsa me Xhakën në 58 ndeshje. 37 ndeshje të përbashkëta i ka me Beg Feratin, ndërsa në nivel klubesh ishte së bashku edhe me Zenun Selimin, Taulant Xhakën, Johan Berishën, Arlind Ajetin, Albert Bunjakun e disa të tjerë. Pra, e njeh shumë mirë mentalitetin e futbollistëve shqiptarë. Aktualisht nën urdhra i ka Mërgim Brahimin, Kastrijot Ndaun, Valon Fazliun, Argtim Ismailin e Lavdim Zumberin. Pra, lidhja me lojtarët shqiptarë nuk i mungon.

Frei është një prej shumë trajnerëve që vlerësohen kandidatë për postin e lakmuar të selektorit të Kosovës.

Prej zviceranëve, kandidat vlerësohet edhe Martin Andermatt. Por, prej kandidatëve kryesorë vlerësohet slloveni Primozh Gliha që në periudhën e fundit ishte ndihmësi i parë i Challandesit. Ka pak gjasa që FFK-ja të vendosë për ndonjë trajner të shtrenjtë.

Kosova në nëntor i luan dy ndeshjet e ardhshme, ndërsa ekipin do ta udhëheqë Gliha. Vetëm më pas pritet të zyrtarizohet selektori i ri.

“Tani kur pozita e përzgjedhësit të Kosovës është vakante, normalisht se ka shprehje të interesit nga menaxherë dhe trajnerë të ndryshëm, të cilët edhe kanë dërguar CV-në e tyre. Por as presidenti Agim Ademi dhe as zyrtarët e tjerë të FFK-së ende nuk janë takuar me askënd rreth kësaj çështjeje. Kombëtarja i ka edhe dy ndeshje deri në përmbyllje të këtij cikli, ndeshjen kualifikuese kundër Greqisë dhe një ndeshje miqësore, që do të zhvillohen në nëntor. Pas përfundimit të këtyre ndeshjeve, presidenti Ademi në koordinim me Komitetin Ekzekutiv do t’i shqyrtojë kandidaturat dhe përzgjedhësi i ri do të zgjidhet në bazë të kritereve profesionale dhe të përvojës. Por, edhe të mundësive financiare, duke pasur parasysh se FFK-ja është e limituar në aspektin ekonomik, sado që presidenti Ademi është këmbëngulës për të mos kursyer asgjë kur është në pyetje progresi i ekipit kombëtar”, ka thënë Blerim Halimi nga zyra për media e FFK-së.

Kosova të dielën humbi 2:1 nga Gjeorgjia dhe kjo solli ndarjen e FFK-së me Challandesin. Kosova aktualisht është e fundit në grupin kualifikues për Botëror me 4 pikë nga shtatë ndeshje, sa i ka edhe Gjeorgjia.

Bernard Challandes ka drejtuar Kosovën që prej marsit të vitit 2018. Albert Bunjaki, Edmond Rugova, Muharrem Sahiti, Bylbyl Sokoli dhe Ajet Shosholli ishin trajnerët e tjerë të Kosovës.


Shtuar 15.10.2021 20:00