HISTORIA/ I shpëtuan fëmijën, nëna nga Kosova falenderon publikisht mjekët dhe infermierët në Durrës

Pëlqej
Jemi mësuar të dëgjojmë ankesa nga spitalet, shpesh me vend e jo rrallë krejt pa vend në lidhje me mjekët dhe infermierët, por ky rast që po ju rrëfejmë është shumë emocionues.

Bëhet fjalë për dy prindër nga Kosova që erdhën për pushime dy ditore në verën e nxehtë të vitit 2015 në Durrës duke mos menduar se do të ishte udhëtimi i jetës.

Vlora, ishte shtatëzënë dhe priste një djalë, kur papritur u ndje keq dhe iu desh të shkonte tek materniteti i spitalit të Durrësit.

Fëmija lindi para kohe, normalisht nën peshë dhe ishte në rrezik serioz për jetën.

Në një e-mail të dërguar në redaksinë e Albeu.com, Vlora Krasniqi nga Kosova rrëfen përpjekjet heroike të stafit të këtij materniteti për t'i shpëtuar jetën Noarit që lindi vetëm 1.1 kg.

Ajo i falenderon ata emër për emër dhe ne kemi zgjedhur që historinë t'a publikojmë të rrefyer nga ajo vetë duke bërë vetëm disa rregullime ortografike në tekst.

Historia e rrëfyer nga Vlora Krasniqi për Albeu.com

Ishte 23 korriku i vitit 2015, kur udhëtuam me bashkëshortin tim për një fundjavënga Prishtina për në Durrës.

Isha në javën e 26-të të shtatzanësisë dhe më datë 24 korrik në mëngjesin e hershëm filluan problemet shëndetësore. Menjëherë vrapuam për në maternitetin e Durrësit.

Zemërgjerësia nga stafi u tregua që nga hyrja kryesore e spitalit. Aty rastisi të ishte në turn doktor Arjan Prodani- drejtor i maternitetit, i cili pas kontrollit që më bëri dhe pas disa konsultimeve me doktor Florianin, ndoshta edhe të tjerë, meqë unë isha në një mënyrë e shokuar nga frika se çfarë do bëhet, nuk më kujtohen ndoshta emra tjerë, vendosën që lindja të bëhet në mënyrë cezariane, ashtu edhe ndodhi.

Mandej ishin infermieret, të cilat më flisnin me shumë dashuri e përkushtim deri tek salla e intervenimit ku dhe lindja përfundoi me shumë sukses falë doktorëve të sipërcekur.

Pasi u përmenda nga anestezia më thanë se bebin e kemi dërguar në inkubator për shkak të papjekurisë së mushkërive dhe lindjes shumë të hershme.

Meqë isha me plagë nuk mund të lëvizja dhe pas 24 orësh me ndihmën e karrocës më dërguan te bebi. Me të parë bebin shpërtheva në vaj dhe humba çdo shpresë se do të mbijetojë, e aq më pak se ky do bëhet ndonjëherë si fëmijët tjerë!

Ishte Ermira Velaj doktoresha e turnit ajo e cila e kishte marrë në duar menjëherë pas lindjes dhe e cila e përcolli plot 7 javë shëndetin e tij.

Me t’u takuar me doktoreshë Mirën, më foli për gjendjen e bebit dhe me dashuri me tha se do të kujdesemi me gjithë dijeninë, por nuk është gjithçka në duart tona, sepse lindja ishte shumë e hershme dhe në një mënyrë kjo lindje quhej si abort dhe kështu bebin mund ta përcjellin pasoja të kohëpaskohshme sepse Noari kishte lindur në javën e 26 dhe me peshë 1.100 kg.

Kaluan orë, ditë dhe mjekët, por dhe ne si prindër ishim në pritje të ndryshimeve.

Ishin orë e ditë plot ankth e stres, sepse është gjë shumë e rëndë për prindin të shikosh vetëm nga xhamat fëmijën dhe të përkëdhelësh vetëm kokën apo dorën dhe më e keqja mbi të gjitha ndjenja se ndoshta pas disa orësh do ta humbasësh përgjithmonë.

Posa afroheshe tek salla e reanimacionit të futej frika në palcë mos ndoshta diçka nuk është duke shkuar mirë e veçmas kur dëgjoje alarmet e aparatuarave të çmendnin fare nga mendimi që gjendja ka ndryshuar për të keq, ende pa e parë se ka diçka që nuk shkon apo po i bëhej një test i saturimit ndonjë fëmije.

Kështu u bën disa javë dhe ne si të them u familjarizuam me gjithë stafin e spitalit dhe të gjithë ndjenin keqardhje për rastin tonë.

I kujtoj shumëherë fjalët e infermiereve “Eja Vlora eja futu brenda, mos ke frikë sepse Noari është shumë mirë”.

Kështu që me gjitha vështirësitë, mundin e pashoq dhe punën e zellshme të doktoreshë Mirës të cilës i jemi mirënjohës gjithë jetën, dhe e cila na është bërë pjesë e jetës dhe pjesë e familjes Noari rritet me plot shëndet.

Ajo tani është pensionuar dhe thoshte “Ky rast ishte një përmbyllje e suksesshme e karrierës sime në shërbim të fëmijëve”, por edhe në pension ende kujdeset për shëndetin e djalit tonë të cilin e bëri , kurse ne si familje kemi krijuar raporte miqësie e familjare me të, dhe vazhdojmë të mbajmë kontakte të shpeshta.

Gjthashtu i jemi shumë falënderues edhe doktoreshë Dhuratës, doktoreshë Lindës dhe doktor Lushit, si dhe infermiereve të reanimacionit, të cilat lirshëm mund t’i quaj heroina.

E them me plot përgjegjësi se nuk më ka rastis të shoh dhe dëgjoj për një punë aq profesionale si ato!

Ju lumtë për kujdesin ndaj të të gjithë fëmijëve, të cilin e bënin pa dallim.

Na përcollën me shumë dashuri pas 7 javë qëndrimi në spital, duke u interesuar dhe pastaj për shëndetin e Noarit.

Meqë jam një nënë shumë e lumtur i falënderoj pa masë dhe them se e kam dashur shumë Shqipërinë, por tani e dua sa s’ka më! /albeu.com/
Shtuar më 20/04/2018, ora 16:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori