Hekurudha Maqedoni-Shqipëri, prioritet i të dy shteteve
Ndërtimi i Korridorit 8 në pjesën hekurudhore Kërçovë-Lin është prioritet i Qeverisë së Shqipërisë dhe Maqedonisë, deklaruan drejtorët e dy ndërmarrjeve hekurudhore Genci Alizoti dhe Irfan Asani, pas realizimit të takimit mes tyre në Durrës.

Drejtori i ndërmarrjes Publike hekurudhore, Hekurudhat e Maqedonisë-Infrastrukturore, Irfan Asani, homologun e tij Alizoti e informoi për aktivitetet që i ndërmarrin hekurudhat e Maqedonisë dhe Qeveria për fillimin e realizimit dhe ndërtimit të linjës hekurudhore Kërçovë-Strugë-Lin.

"Besoj që është koha e nevojshme, e domosdoshme dhe koha e duhur që ne së bashku të kemi një marrëveshje të përbashkët për shkak se na kërkohet edhe nga institucionet financiare të cilat do të financojnë ndërtimin e asaj pjese të mbetur të korridorit kështu që në ditët në vijim ne do të kemi kontakte në nivel ekspertësh dhe do të bëjmë fuzionimin e përbashkët në ato pika ku do të lidhemi", deklaroi Irfan Asani

Ndërkaq, Alizoti tha se prej vitesh hekurudha shqiptare nuk ka vëmendjen e qeverisë, shtoi se kjo qasje pritet të ndryshojë dhe se mbetet prioritet lidhja me linjë hekurudhore mes Pogradecit dhe Kërçovës.

"Do të thoja që lidh edhe dy shtete me njëra tjetrën qoftë në aspektin e mallit po edhe në aspektin e pasagjerëve e cila është tepër tepër e rëndësishme. Puna për këtë korridor besoj jeni mirë të informuar ka filluar me kohë nga të dy palët", u shpreh Alizoti.

Në fund të takimit dy drejtorët e hekurudhave u zotuan se bashkëpunimi do jetë edhe më i ngushtë, gjë që do të rezultojë me formimin e grupeve punuese, marrëveshje e cila pritet të zyrtarizohet gjate vizitës së drejtorit të hekurudhave shqiptare, Alizoti në Shkup.

Kjo marrëveshje hapë rrugën e dy ndërmarrjeve që bashkërisht të aplikojnë me projekte për shfrytëzimin e IPA fondeve. /albeu.com/
Shtuar më 18/10/2014, ora 14:48
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori