"Hasan Prishtina", në Gjykatën Kushtetuese të Shkupit
Emrat e ndryshuar para një jave të 300 rrugëve të Shkupit do të ankimohen në Gjykatën Kushtetuese. Këtë e ka paralajmëruar këshilltari i partisë opozitare VMRO-Popullore në Qytetin e Shkupi Sllobodan Bliznakovski. Siç informon edicioni elektronik i gazetës “Lajm”, ai është duke e përgatitur ankesën dhe është i bindur se Kushtetuiesja do t’i rrëzojë emrat e rrugëve, sepse vlerëson se nuk janë ndryshuar përmes procedurës së rregullt.

“Sipas nenit 5 të Ligjit për emrëimin e rrugëve, bulevardeve dhe urave, për propozimet për emra të rinj duhet të japin mendimin e tyre të gjitha komunat e qytetit të Shkupit. Në këtë rast kjo nuk është respektuar, sepse mendim nuk ka dhënë Këshilli i komunës por komision të cilin e kanë catuar kryetarët e komunave. Ata nuk ka në të drejtë të vendosin për çështje të tilla, por vetëm këshilltarët”, vlerëson Bliznakovski.

Javën e kaluar Këshilli i Qytetit të Shkupit dha mendim pozitiv për emrat e rinj të rrugëve, 45 prej të cilave do të bartin emrat e figurave të njohura shqiptare, si “Hasan Prishtina”, “Jusuf Gërvalla”, "Isa Boletini", "Bajram Curri", e shumë të tjerë.

Në mbledhjen e këshillit opozita maqedonase kërkoi referendum për ndryshimin e emrave të rrugëve, mirëpo kjo u refuzua nga mazhoranca. Analistët vlerësojnë se nëse ankesën e shqyrton përbërja aktuale e Gjykatës Kushtetuese, janë të mëdha gjasat që ajo të pranohet, sepse shumica e anëtarëve të kushtetueses janë zgjedhur në kohën kur në pushtet ka qenë opozita aktuale maqedonase. /albeu.com/
Shtuar më 02/04/2012, ora 10:46

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori