Ermonela Jaho u ndje e braktisur në TOB, reagon Josif Gjipali: S’kam nevojë të shkoj në master class me kolegët

Ermonela Jaho nuk e kishte menduar kurrë që një ditë do të ndihej “e braktisur” në shtëpinë e saj, pikërisht aty ku hodhi hapat e parë në muzikë për të vijuar më pas karrierën e suksesshme në skenat e teatrove më prestigjiozë në botë. E megjithatë kur gjeti thuajse bosh një nga sallat e Universitetit të Arteve, ku do të mbante master class-et e saj, nuk mund të mos e kursente indinjatën dhe revoltën për situatën e krijuar.

“Kam ardhur këtu dhe nuk kam pas asnjë pedagog nga Akademia. Kam ardhur këtu dhe nuk kam parë studentë të regjistrohen. Jam aq e ngarkuar, prandaj kam kaq shumë për të thënë. Mendoj që ky është një lloj egoizmi. E kam provuar para 30 vitesh, por më duket se është akoma edhe sot. Një pedagog nuk të jep dot 100%. Studentët ndoshta mungojnë se nuk i lënë pedagogët.”-rrëfeu ajo.

I menjëherë ka reagimi i tenorit të njohur Josif Gjipali, i cili është shprehur se nuk ka nevojë të shkojë në asnjë “master class” të kolegëve sepse ka mësuar prej mjeshtrave botërorë.

‘Unë jam pjesë e stafit të pedagogëve të kantos në Universitetin e Arteve. Unë nuk kam nevojë të shkoj në asnjë master class pasi “Attila-n” ma ka mësuar Riccardo Muti, “Rigoletto” e “Don Carlo-n” m’i ka mesuar Zubin Mehta. “I due Foscari” sapo ma mësoi në Genova Renato Palumbo. Nuk besoj se ndonjë nga kolegët e mi, pa ju hequr asnjë vlerë si interpretues, mund të m’i mësojë më mirë. Uroj që hienat që nxitojnë të komentojnë në ndonjë deklaratë, që shpresoj të ketë qenë e nxituar në inat e sipër, të jetë më të kursyera.

Studentët e Universitetit të Arteve kanë qenë të zotët të këndojnë, ndaj të mos ua qajë njeri hallin. Dy prej tyre sapo fituan të drejtën e bursës në Spoleto, ku isha si anëtar jurie, mes sa e sa konkurrentëve. Jetë të lumtur e pa mllefe ju uroj të gjithëve.”-përfundoi ai.


Shtuar 20.04.2023 13:48