Hahn kundër Ivanovit: Mos bojkotoni të ardhmen qytetarë
Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, kërkoi nga qytetarët e Maqedonisë që të mos e bojkotojnë referendumin për, siç tha, të ardhmen e vendit.

"Mendoj se njerëzit duhet t'i shfrytëzojnë mundësitë që kanë. Jam thellësisht i bindur se është obligim i udhëheqësve politikë që të bëjnë thirrje te qytetarët që ta shfrytëzojnë këtë mundësi, dhe jo e kundërta", tha Hahn.

Të dielën në Maqedoni mbahet një referendum, në të cilin qytetarëve do t'iu kërkohet të votojnë për marrëveshjen me Greqinë, për ndryshimin e emrit të shtetit në Maqedonia e Veriut.

Miratimi i kësaj marrëveshjeje do t'i hapte Maqedonisë rrugën për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Por, partitë opozitare në Maqedoni, përfshirë presidentin Gjorgje Ivanov, e cilësojnë këtë marrëveshje si kundërkushtetuese.

Vetë Ivanov ka thënë se nuk do të marrë pjesë në referendum dhe ka bërë thirrje për bojkot.

Për të qenë i vlefshëm, në referendum duhet të dalin mbi 50% e qytetarëve me të drejtë vote.


Shtuar më 28/09/2018, ora 14:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori