Telefonata e Putin me Macron, Franca “shuan” shpresat: Nuk ka asnjë marrëveshje armëpushimi në horizont

Nuk ka asnjë marrëveshje në horizont për armëpushim në Ukrainë, tha Pallati Élysée në një deklaratë pasi presidenti francez Emmanuel Macron foli me homologët e tij rus dhe ukrainas veçmas të martën.

“Për momentin nuk ka asnjë marrëveshje, por Presidenti Macron mbetet i bindur për nevojën për të vazhduar përpjekjet e tij”, thuhet në deklaratë.

“Nuk ka rrugëdalje tjetër përveç armëpushimit dhe negociatave me mirëbesim midis Rusisë dhe Ukrainës”, shtoi ai.

Telefonata mes Macron dhe presidentit rus Vladimir Putin ka zgjatur një orë, sipas Pallatit Élysée.

Që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, Macron ka mbajtur një linjë komunikimi të hapur si me Putinin ashtu edhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Duke përfshirë telefonatat sot, Macron ka folur me Putinin tetë herë dhe me Zelenskyn 17 herë që nga fillimi i pushtimit rus muajin e kaluar./albeu.com


Shtuar 22.03.2022 21:35