Ky është vendi i parë në Europë që shpall fundin e pandemisë së COVID-19

Sllovenia është vendi i parë në Evropë që ka shpallur zyrtarisht fundin e pandemisë së koronavirusit.

Qeveria sllovene shpalli fundin e krizës, pasi në dy javët e fundit janë regjistruar më pak se shtatë raste të reja në ditë.

“Njerëzit të cilët arrijnë në Slloveni nga vendet e tjera të BE-së nuk do të duhet më të zbatojnë një karantinë të detyrueshme për të paktën shtatë ditë, siç ka ndodhur që nga fillimi i prillit”, thuhet në njoftimin e qeverisë sllovene.

Nga sot, ata që hyjnë në Slloveni nga vendet që nuk janë anëtare të BE-së, me përjashtim të diplomatëve, duhet të hyjnë në karantinë në periudhë prej 14 ditësh.

Me një popullsi prej pak më shumë se 2 milionë banorësh, Sllovenia ka regjistruar gjithsej 1,464 raste infektimi dhe 103 viktima.

Kujtojmë se Sllovenia i ka vendosur masat kufizuese për frenimin e pandemisë, që më datë 12 mars.


Shtuar 15.05.2020 15:03