Gruevski: Kriza greke pengon zgjidhjen e emrit
Nikolla Gruevski
Kriza financiare dhe ekonomike e Greqisë ndikon rëndësishëm në ngadalësimin e procesit të zgjidhjes së emrit, thotë kryeministri Nikola Gruevski.

Shefi i ekzekutivit që jorrallëherë është vënë në shënjestër të kritikave se është fajtori përse kontesti i emrit mbetet ende i pazgjidhur, e ka hequr nga vetja një pjesë të fajit duke ia lënë atë Athinës zyrtare.

"Greqia e shfrytëzon (krizën) si alibi përpara partnerëve të tjerë ndërkombëtarë dhe kjo paraqet problem. Një, (kriza) është alibi, dy, Greqia është realisht e defokusuar. Dhe tre, për shkak se dhe të tjerët e dinë se është e defokusuar dhe ka probleme, ky shtet (Greqia) e shfrytëzon në mënyrë plotësuese këtë për alibi të caktuar", ka thënë Gruevski në intervistë për "Zërin e Amerikës", citon "Zhurnal".

Ai ka pranuar se vonesat në zgjidhjen e emrit ndikojnë, siç është shprehur, “në mënyrë të pavolitshme” në tërheqjen e investimeve, duke iu shmangur kështu termit “negativ” të përdorur nga gazetari.

"Megjithatë, ka sërish shumë kompani të cilat thonë se u pëlqen pikërisht ky fakt që nuk jemi ende anëtare të BE-s dhe NATO-s, për shkak se e dinë se me hyrjen në BE do të rritet konkurrenca, do të ketë interes më të madh (për investim) dhe për ta nuk do të jetë kaq atraktive të investohet me shpenzime të ulëta siç ndodh tani", ka shtuar kryeministri maqedonas. /albeu.com/
Shtuar më 02/09/2012, ora 12:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori