Gruevski injoron 100-Vjetorin
Kryeministri Nikolla Gruevski nuk do të marrë pjesë në manifestimin qendror për kremtimin e 100-Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, që do të organizohet në Shkup më 25 nëntor në sallën "Boris Trajkovski". Ai është ftuar nga Këshilli koordinativ për organizimet e 100-Vjetorit, por Gruevski do ta refuzojë.

Sipas burimeve të gazetës "Lajm" nga kabineti i kryeministrit Gruevski pohojnë se ai nuk do të marrë pjesë në manifestimin qendror që organizohet në Shkup.

"Gruevski nuk do të marrë pjesë në manifestim që organizohet më 25 nëntor. Nuk ka asnjë arsye që të marrë pjesë në atë manifestim. Eventualisht kryeministri mund të marrë pjesë në pritjen që organizon Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Arben Çejku, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar më 28 nëntor", është shprehur burimi.

Zyrtarisht nga kabineti i Gruevskit thonë se është herët për të treguar nëse kryeministri do të marrë pjesë në manifestimin qendror të Pavarësisë dhe në pritjen që bën ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Arben Çejku.

Kryeministri Gmaqedonas i ka bojkotuar të gjitha aktivitetet që janë organizuar deri tani në Maqedoni me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë dhe përveç kësaj nuk ka akorduar asnjë fond për këtë organizim, megjithëse është edhe kryeministër i disa qindra mijërave shqiptarë.

Në datë 25 nëntor në Shkup do të jetë edhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. /albeu.com/


Shtuar më 05/11/2012, ora 14:26

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori