Grubi: Ka ardhur koha për një president konsensual
Shefi i kabinetit të liderit të BDI-së, duke folur për situatën politike në Maqedoni, ka thënë se ka ardhur koha për një presidenti konsensual.

"Me çdo veprim të tij, qoftë me faljen masive, qoftë me mos emërimin e ambasadorëve, qoftë me rolin e dyshuar të vartësve të tij në ngjarjet e Kumanovës dhe raste tjera, qoftë me mosdhënien e mandatit, Ivanov po konfirmon nevojën e zgjedhjes së një Presidenti konsensual në mes të dy komuniteteve shumicë përkundër një Presidenti partiak siç ka qenë praktikë gjer më sot", ka thënë Grubi.

Sipas tij presidenti partiak nuk është faktor unifikues e as figurë mbipartiake, por i shërben partisë së vet çdo herë kur të jetë nevoja dhe nuk mërzitet nëse nxit urrejtje dhe dhunë ndëretnike me veprimet e veta, por sikur qëllimisht përpiqet që krizën politike, sistemore dhe institucionale ta kthen në krizë ndëretnike.

"Deklarata është përmbledhje e premtimeve tona autoktone zgjedhore dhe në asnjë mënyrë nuk cënon karakterin unitar të shtetit sepse është produkt kryekëput vendor me kërkesa racionale njëdekadëshe, prandaj arsyetimi i Ivanovit është i paqëndrueshëm dhe duhet të tërheq atë vendim menjëherë", ka sqaruar Grubi. /albeu.com/
Shtuar më 05/03/2017, ora 14:03

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori