Grubi akuzon "Besën" për kurth ndaj Ramës duke i shërbyer Ivanovit dhe Gruevskit
Ka shkaktuar debat të madh në Maqedoni pretendimi se Levizja BESA i ka dërguar një letër kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për të pranuar autorësinë e Platformës Shqiptare. Në këtë linjë, deputeti i BDI-së, Artan Grubi e ka akuzuar këtë levizje për "papjekuri politike", ç'ka u jep shtysë argumenteve të VMRO-së kundër shqiptarëve.

"Për fat të keq Ivanovit, Gruevskit dhe VMRO-së u shërbeu papjekuria politike e partisë politike 'Besa', e cila për arsye protagonizmi dhe mosnjohurie elementare kërkoi që kjo Deklaratë të firmoset në Tiranë, ndërsa më pas i shkroi edhe letër kryeministrit Edi Rama që ta konfirmojë autorësinë e paqenë të Deklaratës"., - tha Grubi për "Zërin".

Grubi shkon aq larg sa që e akuzon Lëvizjen Besa që me paraqitjet e saja rreth deklaratës të ketë krijuar arsye edhe për trazirat e mundshme ndëretnike në Maqedoni.

"Ky qëndrim publik i 'Besës' është arsyetimi i vetëm i protestuesve maqedonas në rrugë, është arsyeja e vetme se pse Zaevi sot nuk është kryeministër, si dhe arsyeja e vetme se pse mund të ketë trazira ndëretnike në vend., - tha ai duke hedhur dyshimet se kjo qasje e saj mund të bëhet edhe për t'i shërbyer VMRO-së.

"Analistë të shumtë në Maqedoni dhe rajon thonë që arsyeja kryesore për këto qëndrime të ‘Besës’ mund të jetë një shërbim ndaj VMRO-së për ta ndaluar hetimin e madh institucional ndaj financuesve të kësaj partie dhe fondet marramendëse që përmenden në medie të ndryshme, por unë nuk kam informacione të saktë në këtë drejtim"., - përfundon Grubi./ Albeu.com/
Shtuar më 18/03/2017, ora 15:01

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori