Gropa në Kodrën e Diellit rrezikon turistët
Një gropë e madhe është hapur në parkingun kryesor të Qendrës Rekreative “Kodra e Diellit”.

Kjo gropë është shkaktuar nga kanalizimi i dëmtuar, uji i të cilit ka dalë prej gypave.

Pronarët e bizneseve thonë se gropa në atë gjendje po qëndron për më shumë se një javë dhe për këtë i kanë lajmëruar të gjitha organet kompetente, ndërsa e vetmja gjë që është ndërmarrë është rëra me të cilën është mbuluar ajo.

Aty nuk shihet asnjë sinjalizim për t’i paralajmëruar drejtuesit e automjeteve për kujdes.

Disa prej pronarëve të hoteleve përreth thonë se kjo gjendje i ka dëmtuar pasi menjëherë kanë ndjerë ulje të numrit të vizitorëve.

“Siç e shihni problem që ka ndodhur tash, është problem i cili
ndodh çdo vit dhe ne kemi qenë të obliguar të paktën t’i informojmë mjetet e informimit se çfarë ndodh këtu në zonën turistike. Këtu ka një kanalizim. Është lajmëruar në mjetet kompetente, të cilat duhet ta dijnë këtë problem dhe e shihni edhe vet se nuk është marrë asgjë. Këtë formë që e kanë rrethuar kështu e kanë bërë vetë banorët e ‘Kodrës së Diellit’, që të mos ndodh ndonjë problem më i madh”, thotë Hashim Hasani, pronar I hotelit Scardus.

Për këtë problem ka reaguar edhe iniciativa “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”. Hamdi Sulejmani nga kjo iniciativë thotë që kjo gropë është shumë e rrezikshme për turistët, sidomos gjatë natës, pasi ka mungesë edhe të ndriçimit dhe mund të shkakohet ndonjë aksident.

“Turistët gjatë natës nuk kanë ndriçim dhe mund të shkaktohen edhe aksidente. Nuk ka edhe sinjalizime se nga duhet të lëvizet. Kjo është ajo që shihet dhe për çfar bëjmë thirrje. Nuk është vetëm pjesa këtu, por kjo është më kritike, kemi edhe pjesën e villave, edhe pjesën e kyçjes tek villat dhe shumë rrugë tjera. Ndriçimi, asfalti, gropa të ndryshme dhe liqene të vogla të cilat paraqiten nga reshjet e ndryshme”. Thotë Hamdi Sulejmani nga iniciativa “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”.

Përderisa turistët dhe pronarët e hoteleve dhe vilave alarmojnë për rrezikun që shkakton kjo gropë, nga Komuna e Tetovës thonë se nuk janë të informuar për këtë problem. /shenja/

Shtuar më 19/07/2017, ora 21:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori