Greva vijon, mjekët kërcënohen me vendin e punës
Sindikata e Pavarur e Qendrës Klinike informon se megjithë kërcënimet dhe presionet ndaj mjekëve specialistë, do të vazhdojë grevën e përgjithshme. Sipas kësaj sindikate, me presione ballafaqohen më së shumti mjekët në klinikat e radiologjisë, stomatologjisë dhe gjinekologjisë. Kërcënime ka pasur edhe për largime nga vendet e punës, njofton Alsat-M.

"Në repartin e rëntgenit, dy mjekë janë kërcënuar nga eprorët e tyre për largim nga puna, kjo ndodhi dje! Ne presim edhe arrestime dhe metoda të ndryshme jo demokratike. Por, edhe Evropa edhe SHBA-të presin që ta shohin këtë në vepër", tha Dejan Stavriq, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Qendrës Klinike.

"Autoritetet shëndetësore po sillen si vajza të mitura shtatzëne, ndërsa ne kemi përvojë me këtë… duke u frikësuar nga problemi që kanë – janë shtatzëna, ndërsa të mitura, thjeshtë nuk mendojnë për këtë. Mendojnë se shtatzënia do të zhduket. Kështu është edhe ky problem. Nëse nuk ballafaqohemi me të, nuk do të zhduket", deklaroi Snezhana Gjorgjievska, specialiste në klinikën e gjinekologjisë.


Mjekët theksuan se ministri, si jurist duhet ta dinte se duhet të ulej në bisedime me Sindikatën greviste. Por nga ana tjetër, ministri Todorov thotë se do të bisedojë vetëm me sindikatën degë që është anëtare e Lidhjes së Sindikatave dhe që, sipas tij, është e vetmja që ka të drejtën e përfaqësimit të interesave të mjekëve. Ndërkohë, sërish sot në Qendrën klinike kishte numër të vogël pacientësh. Ishin anuluar të gjitha radiografitë dhe operacionet që nuk ishin urgjente.

"U kontrollova dhe mora çfarë më duhej, të gjithë mjekët ishin aty dhe më kontrolluan", u shpreh një pacient.

"Çdo gjë është në rregull. Punohet normalisht, çdokush që është në grevë ka distinktivin që mbështetin grevën ndërsa puna ecën", deklaroi një tjetër pacient.

Greva vazhdon në të gjitha klinikat në Maqedoni. Sipas të dhënave nga sindikata e Klinikave që numëron rreth 6000 anëtarë, në grevë janë 95% e specialistëve, ose rreth 1400 mjekë. /albeu.com/
Shtuar më 15/11/2012, ora 17:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori