Gjykata Kushtetuese i thotë "po" referendumit, opozita me shpatulla pas murit
Gjykata Kushtetuese me 7 vota “për” dhe 2 “kundër” e ka hedhur iniciativën për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së vendimit të Kuvendit për shpalljen e referendumit.

Sipas shumicës së gjykatësve, nuk ekziston dyshim për jo-kushtetutshmërinë dhe jo-ligjshmërinë e referendumit.

“Kundër” gjatë votimit kanë qenë vetëm gjykatëset, Elena Gosheva dhe Josif Josifovski.

Gjatë diskutimit, sipas gjykatësit Darko Kostadinovski pyetja e referendumit nuk është e paqartë dhe me dy kuptime.

“propozimi, gjegjësisht Kuvendi, dëshiron që t’i konsultojë qytetarët. Tre pyetjet e theksuara në një, anë lidhje shkak-pasojë. Ajo nuk i huton qytetarët. Ndërkaq a ka qenë kompetente Dimitrov, nuk është temë e iniciativës dhe diskutimit të sotëm”, tha Kostandinovski.

Me qëndrim të njëjtë ka qenë edhe gjykatësi, Osman Kadriu, i cili vlerëson se asnjë dispozitë e Kushtetutës nuk është shkelur me vendimin për referendum dhe paralajmëroi se do të votojë kundër propozimit të gjykatëses Elena Gosheva.

“Vendimi nuk mundet që të thuhet se është i paligjshëm pasi që është miratuar me shumicë të votave në organet ligjvënëse”, tha gjykatësi Osman Kadri.

Sipas tij, referendume shtesë duhet të mbahen për anëtarësim në aleanca, dalje nga aleanca ose ndryshim të kufijve, por siç tha ai, BE nuk është aleancë, ndërkaq NATO është aleancë politike, shtetërore dhe ushtarake.

Gjyaktësi Sali Murat, ka bërë krahasim me referendumin e 91’, kur ashtu siç tha, ka pasur më shumë pyetje në një dhe për të nuk duhet të problematizohet në aspektin kushtetues.

Gjykatësit, Vllatko Stojanovski, Vangelina markudova dhe Naser Ajdari në diskutim gjithashtu kanë theksuar se nuk duhet të ngitet procedurë.

Ndryshe, gjykatësja kushtetuese, Elena Gosheva, ishte gjykatëse raportuese për iniciativën për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së vendimit kuvendor për shpalljen e referendumit, të dorëzuar nga partia “E Majta” dhe “Kongresi Botëror Maqedonas”, transmeton Portalb.mk. Sipas saj, vendimi për referendumin është jo-kushtetues dhe propozon të ndalohen të gjitha aktivitetet dhe Gjykata Kushtetuese të ngrit procedurë.

“Nga analizat vlerësoj se ka mangësi të veçanta juridike, gjë që është sipas Kushtetutës. Në vendim nuk është vendosur tërë emri i Marrëveshjes për Emrin, pyetja nuk është precize – është hutuese, e gabuar dhe e paqartë. Duhet që të jenë tre pyetje të veçanta, nuk janë përfshirë të gjitha elementet, marrëveshja është jo-kushtetuese, ndërkaq Ministria nuk ka mandat që të nënshkruajë marrëveshje të tilla”, ka sqaruar Gosheva.

Më 10 shtator zyrtarisht filloi fushata për referendumin, bartës i të cilës është Kuvendi i Republikës së Maqedonisë. Në fushatën e Kuvendit do të kyçen 71 deputetë nga të gjitha grupet parlamentare, me përjashtim të partisë opozitare të VMRO-DPMNE-së.

Referendumi do të mbahet më 30 shtator, ku qytetarët e Maqedonisë do të përgjigjen në pyetjen: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë?”.
Shtuar më 19/09/2018, ora 12:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori