Gjykata Kushtetuese afër bankrotimit
Gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese kërkojnë nga institucionet shtetërore të respektojnë vendimet e institucionit që kujdeset për Kushtetutën e vendit. Kryetari i Branko Naumovski, kërkoi nga Kuvendi që ligjet të cilat i abrogon kjo Gjykatë, mos t’i kthejë për shqyrtim në forma të njëjta.

Naumovski si shembull përmendi Ligjin për lustrim, të cilin Kushtetuesja e abrogoi, në pjesën që kishte të bënte me lustrimin e gazetarëve dhe klerikëve fetar.

Edhe përkundër qëndrimeve të kryeministrit Gruevski se do të vazhdojë me lustrimin, numri ‘një’ i Kushtetueses ishte i prerë.

“Kishte në disa raste, ligje që janë kontestuar në Gjykatë dhe në procedurë të njëjtë me ndryshime të vogla ishin sjellë të njëjtat ligje nga Kuvendi. Ne nuk na mbetet asgjë tjetër përpos që të veprojmë në të njëjtën mënyrë, siç kemi vepruar herën e parë, ajo ndodhi me ligjin për lustrim. Ka edhe disa ligje të tilla, sigurisht nëse vijnë, Gjyqi do të veprojë në mënyrë të njëjtë për ato vendime. Për këto çështje duhet të mendojë pak Kuvendi dhe kur vepron për vendimet tona, të njëjtat duhet të respektohen.

Të mos ndërtohet një kulturë e atillë politike që kur Gjykata Kushtetues të ndalon ndonjë gjë përsëri ta sjellin. Për mua ajo është mos respektim i Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Branko Naumovski, kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Naumovski gjithashtu tha se Gjykata Kushtetuese po përballet me probleme të mëdha financiare që do të vinin në pikëpyetje funksionimin e këtij institucioni. Mirëpo ai nuk komentoi, nëse në këtë mënyrë pushteti po ushtron presion nëpërmjet buxhetit të ulët.

“Kur përgatitet buxheti, kryhen presione nga të gjitha organet që të merren mjete më të mëdha që të kryhet funksioni. Ndonjëherë nuk arrihet një gjë e tillë prandaj nuk do të komentoj asgjë. Nuk mund të jap vlerësime... por është e qartë se ne nuk mund të punojmë pa ato mjete dhe nuk kam ndonjë përgjigje konkrete se a është vërtetë ajo”, u shpreh Branko Naumovski, kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Naumovski këto komente i bëri gjatë prezantimit të punës së Gjykatës Kushtetuese për vitin 2011. Gjykata Kushtetuese vitin që lamë pas ka vepruar ndaj 361 iniciativave, prej të cilave 231 kanë përfunduar ndërsa 130 janë në procedurë. Naumovski tha se në procedurë gjithashtu është edhe interpretimi autentik i ligjit për amnisti.
Shtuar më 07/03/2012, ora 14:39

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori