Gjykata hetuese posedon video xhirimet!
Drejtuesit e mobilierisë “Montenegro” kanë prezantuar shkresën zyrtare të firmosur nga gjykatësja hetuese e lëndës Violeta Nofitoska dhe me vulë të Gjykatës Themelore të Gostivarit, me të cilën në bazë të kërkesës së Sektorit të Punëve të Brendshme në Tetovë, Stacionit Policor në Gostivar, është dhënë urdhër që të sigurohen xhirimet e bëra nga kamerat e sigurisë të kësaj kompanie, e cila ndodhet në afërsi të vendit ku u vranë dy të rinjtë nga Gostivari.

Ato pohojnë se video materiali i kërkuar, është marrë nga zyrtarë të Policisë. “Duke prezantuar shkresën zyrtare nga gjykatësja hetuese, zyrtarë të policisë janë drejtuar tek ne për ta marr video incizimin. Ne në bazë të kësaj shkrese, ua kemi dorëzuar”, thotë njëra nga të punësuarat në sallonin për mobilie “Montenegro”.

Kjo deklaratë e përfaqësuesve të kompanisë “Montenegro” përgënjeshtron deklaratën e ministres së Brendshme, Gordana Jankullovska, se në materialet dëshmuese të siguruara nuk bëjnë pjesë edhe filmimet e kamerave të kompanisë Montenegro.

“MPB që atë ditë pas ngjarjes tragjike, kryerësin e veprës penale vrasje, me materialet të cilat ishin në dispozicion ia dorëzoi gjykatësit hetues. Ato materiale nuk përfshijnë xhirime. Që nga ky moment, hetimin po e bën gjykatësi hetues”, thotë ministrja e Punëve të Brendshme, Jankulloska. Ajo thekson se MPB në tërësi u qëndron në dispozicion edhe prokurorit i cili do ta përfaqësojë aktakuzën për veprën penale vrasje dhe gjykatësit hetues nëse vlerëson se është e nevojshme të ndërmerren veprime të tjera ose të sigurohen dëshmi të tjera, dëshmitarë eventualë dhe dëshmitarë okularë për mënyrën dhe për rrethanat në të cilat është kryer vrasja e dyfishtë në Gostivar.

“Tv2” ka arritur të sigurojë edhe dokumentin e firmosur nga gjykatësja hetuese e lëndës, Violeta Nofitoska dhe me vulë të Gjykatës themelore të Gostivarit, me të cilën në bazë të kërkesës së Sektorit të Punëve të Brendshme në Tetovë, Stacionit Policor në Gostivar, është dhënë urdhër që të sigurohen xhirimet e bëra nga kamerat e sigurisë së kësaj kompanie.

“Duke pasur para sysh se në objektin e mobilierisë “Montenegro” në Gostivar janë të vendosura kamera sigurie të cilat e mbulojnë hyrjen zyrtare të objektit si dhe hapësirën për rreth, ekziston mundësia që të sigurohet video xhirimi nga objekti dhe të zbulohet se si është zhvilluar ngjarje kundërvajtëse që ndodhi në afërsi të objektit”, thuhet në dokument. Më tej theksohet se kërkesa nga ana e Sektorit të Punëve të Brendshme në Tetovë, Stacionit Policor në Gostivar, ka bazë ligjore dhe e njëjta është aprovuar.

“Pasi materiali të merret nga ana e personave zyrtarë të Policisë së Gostivarit, menjëherë të dorëzohet tek gjykatësi hetues”, thuhet në dokumentin e nënshkruar nga gjykatësja e rastit, Violeta Nofitoska. Të martën gjykatësja hetuese nuk ishte e kapshme të komentojë këtë dokument. Ndërsa, të hënën, ajo kategorikisht kishte hedhur poshtë se në dosjen që është duke udhëhequr posedon xhirime dhe se vetëm me kërkesë të policisë do të mund ta kërkonte si dëshmi materiale nga vendi i ngjarjes.

“Nuk posedojmë një material të tillë. Këto do të mund ta kërkonim vetëm nëse do të kishte kërkesë nga ana e Policisë”, tha Nofitoska të hënën.
Shtuar më 08/03/2012, ora 10:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori