"Gjuha shqipe të mbrohet me ligj të posaçëm"
Partitë politike në Maqedoni janë ende në fazën e bisedimeve për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, ndërsa albanologët mendojnë se duhet të miratohet një ligj i posaçëm për të mbrojtur gjuhën shqipe.

"Nëse nuk ekziston një ligj i veçantë, atëherë nuk do të mund të kemi një zyrtarizim të plotë të shqipes dhe nuk do të jetë fare e barabartë me gjuhën maqedonase.

Gjithashtu duhet të parashikohen edhe gjobat për shkeljet e mundshme dhe thyerjen e rregullave drejtshkrimore, sepse në zbatimin e shqipes është vërejtur edhe nëpër mbishkrime, edhe nëpër reklama edhe nëpër shumë shkresa administrative të bëhen shumë thyerje të normave drejtshkrimore dhe kështu që është e patjetërsueshme të mbrohet me ligj", ka thënë pedagogia Ajtene Qamili.

Ndërkohë, sipas Asllan Hamitit, ka ardhur koha për që çështja e gjuhës shqipe të zgjidhet përfundimisht.

"Do të ishte mirë që krahas zyrtarizimit të saj në gjithë territorin e Maqedonisë, të ketë edhe një ligj tjetër përcjellës edhe për mbrojtjen e saj, për arsye se në të gjitha veprimtaritë shoqërore sillen ligje por ato ligje edhe mund të mos respektohen aq sa duhet.

Mendoj se këto duhet të shkojnë së bashku, d.m.th edhe ligji për përdorimin e shqipes në gjithë territorin e Maqedonisë dhe ligji tjetër për mbrojtjen e saj. Një herë e përgjithmonë t’i zgjidhim çështjet, që të njëjtave punë të mos iu rikthehemi disa here", ka thënë Hamiti për "Alsat". /albeu.com/
Shtuar më 19/02/2017, ora 12:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori