Zgjedhjet që do të përcaktojnë rezultatin e luftës në Ukrainë

Nga Ivan Krastev “Financal Times”

Përktheu: Alket Goce- Albeu.com

Zakonisht mendohet se luftërat përfundojnë gjithmonë me negociata. Por shpeshherë ato përfundojnë ose “ngrijnë” në kutinë e votimit. Këtë fund pati edhe lufta e Amerikës në Vietnam, lufta franceze në Algjeri, dhe me humbjen e

Slobodan Milosevic në kutinë e votimit në vitin 2000 morën fund luftërat në ish-Jugosllavi. Lufta aktuale në Ukrainë po zhvillohet nën hijen e zgjedhjeve shumë të rëndësishme
të planifikuara të mbahen vitin e ardhshëm. Zgjedhjet në Rusi, Ukrainë, Tajvan dhe SHBA do të jenë vendimtare në lidhje me fatin e ndjekjes penale të luftës në vitin 2023.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve, mund të përcaktojë formën e rendit të ardhshëm ndërkombëtar. Në marsin e vitit 2024, do të mbahen zgjedhjet presidenciale në Rusi dhe Ukrainë. Duhet të kesh një imagjinatë të shfrenuar të shpresosh se Vladimir Putin mund t’i humbasë zgjedhjet e organizuara për të vetmen arsye që t’i fitojë ato.

Por i ngarkuar me faj për dështimin e “operacionit special”, ai ka shumë arsye të shqetësohet se në rastin e një disfate ushtarake, apo një konflikti të ngrirë në disfavor të tij, do të përballet me kundërshtimin e jo vetëm të disa liberalëve të mbetur në vend, por edhe nga një e djathtë nacionaliste e mobilizuar dhe e besueshme në popull.

Kjo gjë nuk ka ndodhur në sundimin e tij prej më shumë se 2 dekadash. Por një fushatë zgjedhore, e kombinuar me dështime në frontin e luftës, mund të shkaktojë lindjen e një lëvizje anti-Putin, të cilën evropianët dhe amerikanët e kanë pritur prej kohësh, edhe pse
ka shumë pak gjasa që ky të jetë momenti i çlirimit të Rusisë nga tirania.

Zgjedhjet e Ukrainës do të ndikojnë shumë edhe mbi zgjedhjet strategjike që do të bëjë presidenti Volodymyr Zelenskyy këtë vit. Ato do ta bëjnë të pamundur që ai të pranojë ndonjë kompromis territorial, që të mos humbasë votën e ukrainasve. Shtyrja e zgjedhjeve nuk është një opsion.

Por për Zelensky-n, mbajtja e zgjedhjeve në një kohë lufte, dhe me një numër të madh të popullsisë të mërguar ose të zhvendosur brenda vendit, do të jetë një sfidë monumentale logjistike. Organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, do të jetë i një rëndësie të madhe në forcimin e imazhit të Ukrainës si një “David” demokrat që lufton kundër një “Goliati” autokratik rus.

Në “koktejin zgjedhor” të vitit 2024, zgjedhjet presidenciale në Tajvan mund të jenë shumë të rëndësishme për dinamikën e luftës Rusi-Ukrainë. Frika nga një fitore e nacionalistëve në këto zgjedhje, mund të ndikojë në strategjinë e Pekinit për “bashkimin”. Nuk dihet ende se çfarë mësimi ka nxjerrë presidenti Xi Jinping nga pushtimi rus.

A ka arritur në përfundimin se Putini gaboi kur e filloi luftën, apo pse e filloi atë shumë vonë? Nevoja për t’i mbajtur amerikanët larg nga rajoni, mund ta bindë qeverinë kineze, tashmë të poshtëruar nga dështimi i saj për ta menaxhuar si duhet pandeminë e Covid-19,
që të rrisë mbështetjen e saj për Moskën, me shpresën e mbajtjes së zënë të SHBA-në
në një konflikt evropian.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA, dhe në një shkallë shumë më të vogël, zgjedhjet për Parlamentin Evropian, do të kenë gjithashtu një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e luftës në Ukrainë. Zgjedhjet presidenciale amerikane, mund të jenë më vendimtare për rezultatin e luftës sesa çdo operacion ushtarak në terren.

Ukrainasit nuk mund t’i rezistojnë makinës vrastare të Vladimir Putinit, në rast se amerikanët dhe evropianët vendosin të pakësojnë mbështetjen e tyre të konsiderueshme ushtarake dhe financiare. Në këtë kuptim, ukrainasit kanë arsye t’i frikësohen skenarit kur demokratët mund të humbasin presidencën, pasi mbështetja e SHBA-së për luftën e tyre mund të bjerë në varësi të republikanit që triumfon.

Për demokratët dhe aleatët e tyre evropianë, suksesi i Putinit në Donbas apo përfshirja e drejtpërdrejtë e NATO-s në luftë mund të ndikojnë në një mënyrë dramatike se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i SHBA-së, dhe kush do të zgjidhet në Parlamentin Evropian.

Vetëm suksesi i Rusisë në front ose një përfshirje e madhe e NATO-s në konflikt, mund ta ndryshojë ekuilibrin e presidencës amerikane drejt Partisë Republikane. Gjëja e fundit që u duhet demokratëve dhe aleatëve të tyre evropianë, është që votuesit ta fajësojnë Shtëpinë e Bardhë për nisjen e Luftës të Tretë Botërore.

Që Joe Biden dhe aleatët e tij evropianë të fitojnë zgjedhjet e tyre, është tepër e rëndësishme që ukrainasit të vazhdojnë të fitojnë në fushën e betejës. Ne e dimë se si ndërvarësia ekonomike dhe përhapja e armëve bërthamore, e kanë ndryshuar shumë natyrën e luftës moderne.

Por ajo ndaj së cilës ne jemi ende të verbër, është mënyra se si këto procese të ardhshme zgjedhore mund të ndryshojë gjithashtu edhe natyrën e luftës në Ukrainë, veçanërisht në
momentin e një polarizimi të madh global. Morali i kësaj historie? Për të fituar luftërat në shekullin XXI-të, nuk mjafton gjithmonë të jesh superior në fushën e betejës. Por duhet gjithashtu të fitosh zgjedhjet, dhe jo vetëm në vendin tuaj.

Shënim:Ivan Krastev është drejtor i Qendrës për Strategjitë Liberale në Sofje të Bullgarisë, dhe bashkëpunëtor në Institutin e Shkencave Humane në Vjenë./albeu.com/