E bënë për një lek, kapiteni i Rusisë u kthehet ukrainasve: Po derdhet pisllëk mbi popullin rus

Vitaliy Mykolenko dhe Andriy Yarmolenko kërkuan një reagim, madje i pari e quajti bastard dhe tjetri i kujtoi një video intime që i ishte publikuar kapitenit të Rusisë, Artem Dzyuba. Ky i fundit ka vendosur të mbajë qëndrim për situatën e krijuar në Ukrainë dhe për ato që thuhen për të dhe rusët.

“Deri tani nuk kam dashur të flas për temën e ngjarjeve në Ukrainë. Nuk kam dashur, jo sepse kam frikë, por sepse nuk jam ekspert i politikës, nuk jam ngatërruar kurrë me të dhe nuk e kam pasur kurrë ndërmend (ndryshe nga një numër i madh politologësh dhe virologësh që janë shfaqur së fundmi në internet).

Por si gjithë të tjerët, edhe unë kam mendimin tim. Meqenëse kjo temë po më tërheq nga të gjitha anët, do ta shpreh mendim tim. Unë jam kundër çdo lufte. Lufta është e frikshme. Por jam edhe kundër agresionit dhe urrejtjes njerëzore, e cila çdo ditë merr disa përmasa të mëdha. Unë jam kundër diskriminimit në bazë të kombësisë. Nuk më vjen turp që jam rus. Unë jam krenar që jam rus. Dhe nuk e kuptoj pse duhet të vuajnë atletët tani.

Unë jam kundër standardeve të dyfishta. Pse dikush mund të bëjë gjithçka, ndërsa ne duhet “ta mbajmë lidhur qenin”. Pse të gjithë bërtasin gjithmonë për sportin si diçka jashtë politikës, por në rastin e parë, kur bëhet fjalë për Rusinë, ky parim harrohet plotësisht? Përsëri, lufta është e frikshme.

Në situata stresuese, njerëzit tregojnë thelbin e tyre, ndonjëherë negativ. Sa zemërim, pisllëk dhe ofendime janë derdhur tani mbi të gjithë popullin rus, pavarësisht nga pozicioni dhe profesioni i tyre. Ata mijëra njerëz që shkruajnë ofendime dhe kërcënime, duhet të rreshtohen po njësoj!

Është dyfish e çuditshme të dëgjosh të gjitha nga këta njerëz të cilëve Rusia u ka dhënë shumë, shumë në jetën e tyre. E gjithë kjo vetëm sa krijon më shumë negativitet. Lufta do të përfundojë, por marrëdhëniet njerëzore do të mbeten. Dhe do të jetë e pamundur të kthehen prapa. Mbajeni mend këtë.

P.S. Dhe për disa kolegë që ulen në vilat e tyre në Angli dhe thonë gjëra të neveritshme: kjo nuk mund të na ofendojë, ne kuptojmë gjithçka! Paqe dhe mirësi për të gjithë!”, shkruan kapiteni i Rusisë në postimin e tij në Instagram. / h.ll/albeu.com