“Gazprom” anashkalon Maqedoninë dhe Shqipërinë
Në faqen zyrtare të internetit të kompanisë ruse Gazprom është publikuar harta e re, e cila tregon se nga do të kalojë korridori ndërkombëtar i tubacioneve të gazit që do ta furnizojë Evropën.

Në këtë hartë duket qartë se Maqedonia dhe Shqipëria nuk janë përfshirë në këtë projekt gjigant, pasi tubacionet parashihet të kalojnë përmes Greqisë së veriut dhe të arrijnë në Itali.

Drejtori ekzekutiv i Gazpromit, Alexey Miller, në mbledhjen e mbajtur pikërisht për rrjedhën e jugut më 20 dhjetor të vitit të kaluar, ka folur për aktivitetet që pritet të fillojnë shumë shpejt që ky projekt të bëhet realitet.

“Kemi gjithçka që është e nevojshme që të shpejtohet fillimi i ndërtimit të rrjedhës së jugut. Kemi bazën rregullatore, interes të madh nga ana e pjesëmarrësve në këtë projekt, paratë e nevojshme, si dhe porositë e gazit nëpërmjet kompanive të mëdha nga deti i Zi. Interesi për projektin është mjaft i madh, kurse ne jemi të përgatitur që ta plasojmë atë”, ka thënë Miller.

Sipas të dhënave zyrtare të Gazpromit, rrjedha e jugut do të fillojë nga Rusia, nën Detin e Zi, ku një pjesë do të kalojë nëpër Rumani e Serbi drejt Kroacisë, kurse pjesa tjetër do të shkojë drejt Bullgarisë, do të anashkalojë Maqedoninë dhe do të kalojë nëpër Greqi, në fund do ta anashkalojë Shqipërinë në jug dhe do të ngjitet nëpërmjet detit Jon me Italinë.

Zyrtarisht ky projekt pritet të fillojë në dhjetor të vitit 2012, në të cilin janë paraparë të investohen miliarda dollarë për ta furnizuar Evropën me energji të re, shkruan portali Zhurnal.

Megjithatë, është mjaft domethënëse dhe tregues shqetësues për Maqedoninë ky projekt. Çfarë planesh përgatiten për rajonin në të ardhmen, pasi u anashkaluan Maqedonia dhe Shqipëria?

Të rikujtojmë se në hartën e parë të publikuar të Gazpromit, ishte paraparë që tubacionet të kalojnë nëpër Maqedoni dhe Shqipëri, e që do të ishte distancë më e shkurtë dhe më e sigurt për rajonin.
Shtuar më 01/02/2012, ora 22:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori