E rëndë në jetimoren e Sarandës, flet nëna e tre fëmijëve: Kanë abuzuar me djalin, vajzat i kanë rrahur e ofenduar

Një ngjarje e rëndë raportohet se ka ndodhur në shtëpinë e fëmijës “Vangjel Pulla” në Sarandë, ku është abuzuar me 3 fëmijë.

Ditën e sotme nëna e fëmijëve ka denoncuar abuzimin seksual ndaj djalit të saj të mitur në komisariatin nr.3.

Ajo tregoi në një intervistë në “Euronews Albania” se kishte marrë fëmijët e saj me pushime gjatë verës dhe ata i kishin rrëfyer për abuzimin që iu bëhej atyre në jetimore.

Nëna ka rrëfyer seteksa lante djalin e saj në dush, më të voglin e fëmijëve, ai kishte treguar se e kanë torturuar, rrahur, e kanë lyer me pastë dhëmbësh dhe i kanë mbyllur gojën me jastëk. Sipas të miturit edhe shokët, edhe edukatorët e kanë mbyllur në dollap duke e rrahur.

Ndërsa vajzat, më të mëdha, pohuan se edhe ato kishin përjetuar të njëjat histori. Ato kanë treguar se djemtë e jetimores i kanë ofenduar duke përdorur fjalë banale ndaj tyre ndërsa kanë ushtruar dhe dhunë fizike.