Gati "lista e dështimeve" të Maqedonisë
Pëlqej
Vetëm partia maqedonase në pushtet, VMRO DPMNE është optimiste në lidhje me përmbajtjen e raportit të Komisionit Europian (KE), i cili pritet të publikohet javën e ardhshme. Pozita dhe opozita shqiptare shprehen se Maqedonia këtë vit ka dështuar në plotësimin e reformave të nevojshme për kyçje në familjen evropiane.

”Këtë vit Maqedonia ka bërë punën e saj në planin e eurointegrimeve dhe në plotësimin e sygjerimeve dhe kritikave të Komisionit Europian. Presim që këtë mund, t’a vlerësojë BE-ja sepse raportet e tyre gjithmonë janë të balansuara dhe reale. Ne me përgjegjësi i përmbushim të gjitha ata që i këkron Brukseli zyrtar” shprehet deputeti i VMRO-së, Ilija Dimovski.

Nga ana tjetër, nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi, vlerëson se nuk duhet shpresuar për raport pozitiv.

Raporti padyshim se nuk do t’i ngjajë atij të vitit të kaluar në të cilin Maqedonisë iu dha një mundësi të tregojë gatishmëri për kompromis. Ai raport ishte, të themi, më i butë. Pres që raporti për këtë vit të jetë i mbushur me kritika për stagnim në plotësimin e reformave” shprehet Arifi.

Deputeti i LSDM-së opozitare, Vllado Buçkovski, thotë se Maqedonia vazhdon të fundoset në mossuksesin e saj.
”Për një vit të tërë Qeveria nuk arriti të mer mësim nga vërrejtjet e vazhdueshme të Brukselit. Raporti do të përmbajë kritikat e ngjashme të vitit të kaluar. Normalisht, duhet të ketë dhe lëvdata si për shembull në energjetikë, por mbi të gjitha mbisundon negativiteti” shprehet Buçkovski nga LSDM.

Flora Kadriu nga DR-ja opozitare sërish përsëriti qëndrimin se raporti do të jetë më i keq se vitin e kaluar. “Presim që raporti i KE-së të jetë shumë i realtë ngaqë gjithnjë dorëzohet si raport që detekton lëshimët në këtë shtet. Nga të gjitha faktet dhe argumentet dihet se nuk kemi përparim dhe zhvillim të reformave në të gjtha sektoret që janë kyçe, duke filluar nga sistemi i partizuar gjyqësor, punësimet e ushtarëve partiakë nga BDI në administratën shtetërore të cilët madje marrin para dhe rijnë në shtëpi, moszbatimi i marrëveshjes së Ohrit, problemet me korrupsionin dhe të tjera. Qeveria promovohet se ka plotësuar kriteret por ata në Bruksel e dinë shumë mirë çfarë ndodh këtu prandaj them se në këtë sferë Maqedonia ka stagnim ose dhe regres” deklaroi Kadriu.

Burimet diplomatike thonë se Maqedonia nuk ka bërë shumë pak për plotësimin e kritereve që kërkon Brukseli dhe po të njëjtat vlerësojnë se raporti i cili do të publikohet më 9 nëntor, ka gjasa të jetë më i keq se ai i vitit të kaluar duke përfshirë shumë vërjetje në secilën sferë në të cilën vendi është dashtur të reformohet. Kritikat e Komisionit Europian si zakonisht do të fillojnë nga dialogu politk, mungesat e mëdha në ligjin e miratuar për antidiskriminim, praninë e korrupsionit, ndikimi i politikës në gjyqësor, presioni qeveritar ndaj medieve dhe në përgjithësi gjendja e keqe ekonomike.

Madje, sipas burimeve të njejta, një ndër vërejtjet kryesore të cilat do t’i marrë Maqedonia, do të jetë presioni që u bën qeveria medieve dhe fushatat e shumta qeveritare që kanë për qëllim kontrollimin e tyre. Në rast se deri më tani vërejtja kryesore e Brukselit ka qenë vërejtja se kryetar të partive politike kanë medie elektronike, kësaj radhe vërejtja kryesore do të jenë tentimet e Qeverisë që përmes fushatave reklamuese të kontrollojë mediet në Maqedoni.

Optimizmi i Naumovskit

Raporti që do të publikohet javën e ardhshme do të konstatojë se nëse Republika e Maqedonisë është afruar dhe ka ecur përpara në plotësimin e kritereve për anëtarësim të plotfuqishëm ose është kthyer prapa, ditë më parë ka thënë zëvendëskryeministri i angazhuar për çështje evropiane, Vasko Naumovski. "Ne jemi të sigurt se me të gjitha reformat që i zbatuam gjatë muajve të kaluar mundemi të shpresojmë në raport objektiv ku gjithë ajo që është punuar do të valorizohet", ka thënë Naumovski. (kohaere)
Shtuar më 05/11/2010, ora 11:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori